Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur reagimin e tij pas një sulmi kibernetik të identifikuar nga grupi ‘Homeland Justice’. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në orën 21:00, u konstatuan akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të Kuvendit, duke rezultuar në fshirjen e disa informacioneve nga llogaritë e përdoruesve të punonjësve në administratë. Megjithatë, infrastruktura kryesore e punës mbetet e pandikur.
Pas incidentit, është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e situatës dhe rikuperimin e të dhënave të prekura. Pjesë e këtij procesi është edhe bashkëpunimi me institucionet kompetente për sigurinë kibernetike, mes të cilave Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes.
Vlerësimi paraprak tregon se sulmi është i sofistikuar dhe ka pasur për qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Megjithatë, faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet mbështetëse po funksionojnë normalisht. Pas konstatimit, janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e informacionit të humbur.
Përveç masave të brendshme, Kuvendi ka marrë mbështetje teknike nga partnerët ndërkombëtarë në vlerësimin e situatës dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të përballuar këtë sfidë. Situata po monitorohet nga afër dhe Kuvendi informon se do vijojë të mbajë publikun në dijeni për çdo zhvillim të ri.















