Dosja e Antimafias Italiane për grupin e Durrësit, “Troplini”, nxori në pah aftësitë tipike të Edi Ramës si një drejtues i “botës së tretë”, i cili bashkon projektet turistike të gjigandëve ndërkombëtarë me investitorë që dyshohet se drejtojnë organizata të fuqishme kriminale.
Në Shtator të vitit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), një strukturë e drejtuar nga kreu i qeverisë, Rama, miratoi një numër rekord lejesh ndërtimi, kryesisht në Tiranë dhe në zonën bregdetare.
Mes tyre, Rama firmosi lejen e zhvillimi për objektin: “Hotel 10 dhe 11 kate mbitokë me 3 kate shërbimi nëntokë”, me vendndodhje Shkëmbi i Kavajës, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rock of Kavaja” sh.p.k.”.

Kompania investitore ishte krijuar vetëm dy muaj para miratimit të lejes, në Korrik 2024. “Rock of Kavaja” shpk u themelua nga një subjekt tjetër tregtar, “Eldemar Construction”. Pronari fundor i të dy kompanive është Elvis Doçi, i njohur ndryshe edhe si “Visi i Pojës”, një personazh kyç në organizatën e dyshuar kriminale “Troplini” me seli kryesore në qytetin e Durrësit.

Vetëm pak javë pas miratimit të lejes së ndërtimit nga Edi Rama, pronari i “Rock of Kavaja” vendos të shesë 60 përqind të aksioneve tek shoqëria farmaceutike “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit, një personazh me të shkuar problematike, i arrestuar në vitin 2015 për mashtrim me rimbursimin e ilaçeve dhe më pas i liruar nga akuzat.
Sipas kontratës së siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se Çausholli ka blerë aksionet e kompanisë që sapo kishte fituar lejen e ndërtimit për hotel në bregdet për vetëm 60 mijë lekë të reja.

Në 21 Prill 2025, Prokuroria e Anti-mafias së Barit bëri publike në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë, rezultatet e një operacioni në shkallë të gjerë kundër një grupi italo-shqiptar, të përfshirë në trafikimin e lëndëve të forta narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Europës, e kryesisht Italisë.
Sipas dosjes italiane, të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se sipërmarrësi Elvis Doçi, ka luajtur për shumë vite rolin e ndërmjetësuesit për blerjen e kokainës, kryesisht në Kolumbi, për llogari të organizatës së drejtuar nga daja i tij, Xhevdet Troplini, i njohur edhe si “Poja”.

Roli i Elvis Doçit, si numri 2 i organizatës së dyshuar kriminale, është sqaruar për autoritetet italiane nga i penduari i drejtësisë shqiptare, Nuredin Dumani, si edhe nga hetimet e kryera nga Anti-Mafia e qytetit jugor të Italisë.
Në Durrës, “Visi i Pojës” ka krijuar fizionominë e një biznesmeni në fushën e ndërtimit. Ai rezulton pronari i vetëm i shoqërisë “Eldemar Construction”, e krijuar në vitin 2014.

Në 9 Shtator 2024, Elvis Doçi, në cilësinë e ortakut të vetëm të “Rock of Kavaja” shpk, autorizon këtë kompani që të aplikojë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për miratimin e lejes së ndërtimit për një hotel të lartë në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, mbi një truall në pronësi të “Eldemar Construction” shpk, gjithashtu në pronësi të tij.
Vetëm dy javë pas aplikimit, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të Këshillit të Rregullimit të Territorit, miraton kërkesën e “Rock of Kavaja” shpk, në pronësi të Elvis Doçit (Visi i Pojës).
xxx
Opozita e djathtë në Shqipëri e ka akuzuar publikisht Elvis Doçin (Visin e Pojës) si një eksponent të rëndësishëm të botës së krimit në Shqipëri që siguron vota për Partinë Socialiste në pushtet të Edi Ramës.
Në 28 Prill të këtij viti, gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi “’Kriminelja elektorale, kryebashkiakja socialiste e Durrësit, Emirjana Sako nuk pyet për ligjin dhe vazhdon me krimin: Asfalt për votë! Dënoj me forcën më të madhe krimin elektoral të saj për të cilin e siguroj se pas 11 majt do trajtohet njëlloj si Gjushi, Visi i Pojës, Hajri dhe Agasi, terrorist elektoral”.
Partia Socialiste e Ramës mori një fitore të fuqishme në këto zgjedhje, në Durrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë, ku arriti të sigurojë 83 mandate nga 140 të tillë në Parlamentin e Shqipërisë, një shumicë që, së bashku me aleatin e tij të vogël, social-demokratët e Tom Doshit, i lejon kryeministrit që të ndryshojë vetëm me votat e tij çdo lloj ligji, përveçse Kushtetutës.
Partia Demokratike në opozitë deklaroi se këto zgjedhje janë një farsë elektorale dhe se kryeministri Rama po mban pushtetin me votat e siguruara nga bandat kriminale. Mes tyre, në akuzat e opozitës, është edhe banda Troplini ose “banda e Pojës”.
Një ditë pas zgjedhjeve, në 12 Maj 2025, kompania “Rock of Kavaja” e Elvis Doçit (Visit të Pojës) nënshkruan një marrëveshje me një ndër shoqëritë më të mëdha në botë në fushën e hotelerisë, francezët e “Accor” për të sjellë për herë të parë në Shqipëri grupin “Pullman Hotel and Resort”.
Në një njoftim të shpërndarë thuhet se “Shoqëria ACCOR, lideri botëror i hotelerisë shpalli sot (12 maj 2025) nënshkrimin e marrëveshjes me Rock of Kavaja SHPK, një shoqëri ndërtimi kompleksesh rezidenciale që po punon me zhvillues të njohur, lidhur me sjelljen për herë të parë në Shqipëri të Pullman Hotels dhe Resorts. Hoteli PUllman Durrës me 184 dhoma, që parashikohet të hapë dyert në vitin 2028, do të jetë destinacioni kryesor në bregdetin e Adriatikut, duke sjellë përvojën e resorteve moderne në një prej qyteteve bregdetare më dinamike të vendit tonë”.
Njoftimi për Marrëveshjes shoqërohet edhe me disa foto nga projekti i pritshëm i ndërtimit të hotelit 10-katësh në “Shkëmbin e Kavajës”, me investitor kompaninë e Elvis Doçit (Visit të Pojës).

Kryeministri Edi Rama është mburrur më herët në median franceze se ishte vizioni i tij për turizmin që afroi në Shqipëri kompaninë e fuqishme “Accor”.
Në një intervistë për “France Soir” në gusht të vitit 2022, Rama kujtonte një vizitë të ish-presidentit francez, Nikolas Sarkozi në vendin tonë, ku, sipas kryeministrit shqiptar, kreu i Pallatit Elize vlerësoi potencialet e Shqipërisë në fushën e turizmit.

“Po, Accor ka disa kontrata këtu me shumë investitorë. Ata kanë ardhur në Shqipëri para 4 vitesh, kjo falë Nikolas Sarkozi, që është pjesë e bordit të projekteve që janë zbatuar. Ai erdhi bashkë me Carla Bruni, bashkëshorten e tij, për një vizitë dy-ditore. Carla dha një koncert këtu, e gjithashtu udhëtuam së bashku me helikopter, ku edhe mundën të shihnin vendin.
Gjëja e parë që më tha kur helikopteri u ul në tokë, është që ne po qëndronim mbi një minierë ari. Kur u kthye në Francë, ai nxiti vizitën e parë të grupit Accor në Shqipëri. Në fakt, ata e pohuan që nuk e kishin menduar ndonjëherë operimin e tyre këtu, por gjatë vizitës u mahnitën, e sot kanë disa kontrata këtu”, deklaroi Rama për median franceze.
Ndërkohë që Marrëveshje mes “Rock of Kavaja” shpk me “Accor” dhe “Pullman” është një akt mes palëve private, duket se gjigandët hotelierë as nuk kanë pasur pikën e dyshimit për aktivitetin e dyshuar kriminal të investitorit shqiptar dhe se ata kanë besuar në filtrimin e biznesmenit shqiptar nga kryeministri Edi Rama, i cili, në fund të ditës, e kishte pajisur me lejen përkatëse të ndërtimit.