Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, kanë propozuar një qasje të re për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Në një opinion të përbashkët të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ata sugjerojnë një “rrugë realiste” që zhvendos fokusin nga anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian te integrimi në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.
Rama dhe Vučić nuk kërkojnë një afat të shpejtë për anëtarësim, por theksojnë rëndësinë e përfshirjes së vendeve kandidate në tregun e përbashkët dhe lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Sipas tyre, kjo do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët dhe ekonomitë e rajonit dhe do të forconte pozitat ekonomike dhe gjeopolitike të Bashkimit Evropian.
Të dy liderët shprehin shqetësim për mungesën e zgjerimit të BE-së që prej vitit 2013, duke e konsideruar këtë situatë dekurajuese për rajonin. Ata argumentojnë se Ballkani Perëndimor përfaqëson një “vijë të re fronti për investime” dhe se Brukseli duhet ta shohë këtë hapësirë si strategjike përballë zhvillimeve të reja gjeopolitike.
Rama dhe Vučić pranojnë gjithashtu se brenda Bashkimit Evropian ekzistojnë dy perspektiva që shpesh janë në konflikt – vendet kandidate kërkojnë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit, ndërsa vendet anëtare duan të ruajnë unitetin dhe funksionalitetin e Unionit. Për të adresuar këtë dilemë, ata propozojnë një integrim të përshpejtuar në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen, pa ndryshuar strukturat institucionale të BE-së.
Ky model sipas tyre, do të shmangte të drejtat e veto për vendet kandidate, emërimin e komisionerëve të rinj dhe ndryshime të tjera në Parlamentin Evropian. Duke e paraqitur këtë qasje, ata besojnë se do të ishin më të pranueshëm për vendet anëtare që janë skeptike ndaj zgjerimeve të reja dhe do ta përmirësonin komunikimin e procesit për opinionin publik evropian.















