Mesditën e sotme u zhvillua protesta e opozitës në Shkodër. Marshimi nisi nga bashkia e qytetit, duke vazhduar në Pedonale në shenjë sensibilizimi.
“Qytetnimi asht ma i fort se krimi. Po na vrasin, na duhet reagimi”, shkruhet në pankartën e madhe që protestuesit mbanin në duar.
I pranishëm në këtë marshim është edhe ish-kreu i kësaj bashkie, demokrati Bardh Spahia. Ai deklaroi për mediat se “të gjitha strukturat shtetërore duhet të vihen në lëvizje për të mos e lënë Shkodrën të bjerë në kthetrat e krimit”.
Opozita e ka zhvendosur sot protestën në Shkodër. Pas atentatit me tre viktima pak ditë më parë demokratët dolën në rrugë duke u kërkuar qytetarëve shkodranë që të mos i nënshtrohen krimit të organizuar në kryeqendrën e veriut. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se policia ka qenë dhe është në kërkim të krimit në Shkodër.
“Ky është një organizim qytetar. Jemi këtu për të shprehur mos nënshtrimin tonë ndaj pushtetit që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ngjarja krijon frikë dhe terror mund të ishte parandaluar.
Ne jemi në këtë tubim paqësor, pa shfrytëzuar fatkeqësinë familjare të secilës prej familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre, por për të kundërshtuar fenomenin. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjes me qeverisjen secili prej nesh duhet ta kundërshtojë” tha ai.
Qytetarët u grumbulluan para godinës së bashkisë së qytetit të Shkodrës pas ngjarjes së fundit ku u vranë 3 persona mes të cilëve edhe një kalimtare e rastit.
“Shkodra është nën kthetrat e krimit shtetëror. Çdo vrasje që bëhet në Shkodër ka një prapavijë politike, e gjitha bëhet për të spastruar rrugën që nesër në krye të listës të vijë Edi Rama.
Siç ishte mandatin e kaluar në krye të listës së Durrësit dhe gjithë listë e Durrësit ja përcaktoi krimi i organizuar, këtë skenar përpiqet ta sjellë në Shkodër.
Pra gjithçka ktu është në territorin e krimit politik të Rilindjes. Sot Partia Demokratike dhe opozita ka organizuar ktë marshim, marshim proteste kundër krimit politik”, u shpreh Flamur Noka.