Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gram Advanced”, pas një alarmi nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF). Kontrollet zyrtare të kryera në Gjermani kanë zbuluar prani të substancës toksike “cereulide”, e cila mund të shkaktojë helmim ushqimor me simptoma të rrezikshme, veçanërisht për foshnjat.
Produkti i kontaminuar, me datë skadence 10 nëntor 2026, është i rrezikshëm për shëndetin e foshnjave të moshës nga 0 deri në 2 vjeç. Alarmi për këtë qumësht formulë ka filluar në vendet evropiane dhe është arritur disa ditë më vonë në Shqipëri. Rossman Lala, operatori i biznesit ushqimor që importoi këtë produkt, ka sjellë në Shqipëri 648 njësi, nga të cilat 276 janë shpërndarë në treg dhe të tjera janë eksportuar në Kosovë.
AKU, në një deklaratë, ka theksuar angazhimin e inspektorëve për tërheqjen e produktit nga tregu, duke shpjeguar se ka pasur shpërndarje në qytetet Durrës, Tiranë, Fier dhe Shkodër. Ajo u bën thirrje prindërve dhe konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes pa e përdorur.
APTAMIL është një nga markat më të njohura të qumështit formulë, por prania e bakterit “Bacillus cereus” nuk është hera e parë që raportohet, pasi ai është gjetur edhe në produkte të tjera, përfshirë ato të kompanisë Nestlé, të cilat janë tregtuar nga po ky distributor.
AKU vazhdon të monitorojë situatën dhe të sigurojë që produktet që rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve të tërhiqen në mënyrë të menjëhershme nga tregu.















