Laert Haxhiu, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rival i Aldo Bares është arrestuar nga policia greke me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
31-vjeçari, i lindur në Lushnjë, u arrestua në Janinë nga policia greke dhe me vete kishte një leje qëndrimi greke të falsifikuar me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar Laert Haxhiun për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja ka ndodhur më 8 korrik të vitit 2010, dhe për këtë krim, Haxhiu u dënua me 32 vite burg, por gjykata e Apelit vendosi t’a lirojë për mungesë provash, dhe në vitin 2015 ai fitoi përballë drejtësisë. Por do të zgjaste shumë pak periudha e paqes për Haxhiun.
Pasi doli nga burgu në fund të vitit 2014, ai u arrestua në qershor të 2015-ës pasi iu sekuestrua në makinë një sasi prej 1.2 kilogramë heroinë.
Guximi i Haxhiut nuk ishte i pakët, pasi gjatë operacionit për kapjen e tij, ai tentoi të arratisej nga një mur, ku theu dhe këmbën.
Pasi u kap, Haxhiu tha në Polici se mendonte se e ndiqnin njerëzit e Aldo Bares, por sërish ai ia doli për të qenë i lirë, pasi gjykata e Durrësit, e dënoi vetëm me 17 muaj burg.
Po ashtu, Orges Bilbili dhe Laert Haxhiu, janë të dyshuar edhe për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit, ku u plagos edhe Sajmo Xhelili.
Në çdo informacion që merrej për ta, Policia e Shtetit ishte në këmbë për të kapur 2 të shumë kërkuarit.
Madje në shtator të vitit 2018, Reparti RENEA dhe ai i FNSH ndërmorën një operacion për kapjen e Laert Haxhiut dhe Orges Bilbilit në fshatin Rremas në Divjakë, pasi dyshuan se fshiheshin aty.
Operacioni jo vetëm që dështoi, por RENEA plagosi një të moshuar, i cili kishte dalë në dritare për të parë se çfarë po ndodhte.
Nëse për Haxhiun u angazhuan dy Polici të vendeve të ndryshme për ta prangosur, por Orges Bilbili u arrestua nga rastësia në prill të vitit 2020, kur i gjithë vendi ishte në shtetrrethim prej pandemisë së koronavirusit.
Bilbili ndodhej në zonën e Xhamllikut ku po lëvizte me këmbë kur është pikasur nga polici i Shqiponjave. Bilbili i tha policit se do e qëllonte dhe i drejtoi armën.
Në këtë moment, polici pasi e ndoqi me vrap dhe e paralajmëroi derisa më pas e qëlloi në këmbë duke mundësuar kapjen e tij.
Historia e bandës së Lushnjes
Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri atëherë efektiv i Forcave RENEA.
Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”.
Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë.
Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjes.