Presidenti i “Focus Media Group”, Irfan Hysenbelliu u është drejtuar përmes një mesazhi gazetarëve të News24, pas akteve brutale të dhunës shtetërore që solli fikjen e sinjalit të transmetimit mëngjesin e 9 gushtit, ndërsa dje pasdite plaçkitën ambientet e televizionit duke grabitur kompjuterat dhe sendet e punës të gazetarëve.
Në deklaratën për mediat, Z.Hysenbelliu inkurajon gazetarët që t’i rezistojnë agresionit të autoriteteve, ndërsa garanton se News24 nuk do të mbyllet dhe as do të dorëzohet përballë dhunës dhe presionit.
“U drejtohem të gjithë punonjësve të News24: Mos u përkulni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”, deklaron Z.Hysenbelliu.
DEKLARATË PËR SHTYP
TIRANË, 12 GUSHT 2025
Si pronar i News24, BalkanWeb, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare ndiej detyrimin të dënoj me forcë dhe t’i bëj publikisht të njohura veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj medias sonë.
Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të policisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.
Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar. Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.
Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë për të vërtetën.
U drejtohem të gjithë punonjësve të News24: Mos u përkulni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.
News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.
U bëj thirrje institucioneve të shtetit: të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.
News24 do të vazhdojë të jetë dritarja e së vërtetës, misioni ynë do të vazhdojë.
Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.
Përgjatë 4 ditëve, gazetarët e News24, BalkanWeb, Panorama Online, Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare janë përballur me klimë terrori. Ata janë privuar nga aksesi në vendet e punës nga një urdhër verbal i Policisë së Shtetit dhe punonjësve të “KAYO”.