Kampionati anglez po shndërrohet në një garë ku renditja nuk përcaktohet më vetëm nga pikët, por edhe nga numri i golave të shënuar. Suksesi i Manchester City ndaj Chelsea ka rritur pikët e skuadrës së Pep Guardiolës në 64, duke e afruar me Arsenalin, i cili pas humbjes me Bournemouth ka mbetur në 70 pikë.
Projekcioni matematik tregon se nëse dy skuadrat përfundojnë me pikë të barabarta, titulli do të vendoset nga golavarazhi. Nëse Arsenal fiton të gjitha ndeshjet e mbetura, por humbet përballë City, dhe nëse City fiton ndeshjen me Crystal Palace, të dyja do të kenë nga 85 pikë. Në këtë rast, golavarazhi do të jetë vendimtar, ku Arsenal aktualisht ka një avantazh prej +38 ndaj +35 të City. Megjithatë, ky avantazh nuk është i sigurt, pasi Manchester City mund ta përmbysë diferencën në ndeshjen me Crystal Palace dhe sidomos në përballjen direkte me Arsenal.
Ndeshja mes Manchester City dhe Arsenal është planifikuar për 19 prill, dhe çdo gol do të ketë rëndësi të madhe për përfundimin e kampionatit. Në këtë duel, presioni psikologjik është i dukshëm, duke u rikthyer te suksesi i Arsenal në sezonin 2003-2004, kur ekipi ishte “i pamposhtur”. Arsenal po përballet me një thatësirë trofesh që zgjat prej 22 vitesh, dhe humbja e mundshme e titullit për vetëm 2 pikë nga Manchester City në sezonin 2023/24 mund të shndërrohet në një makth për tifozët e Topçinjve.















