SHBA- Anijet e mallrave dhe anijet kontejnerike përballen me pritje të gjata në qendra kryesore portuale, me probleme që pritet të zgjasin për disa muaj. Politikat e paqëndrueshme të tarifave të Donald Trump, të kombinuara me nivelet e ulëta të lumenjve, po shkaktojnë bllokimet më të mëdha në zinxhirët e furnizimit në Europë që prej pandemisë së koronavirusit, paralajmërojnë kompanitë e transportit dhe logjistikës.
Anijet e ngarkesave me platforma të sheshta (barges) janë lënë duke pritur për ditë të tëra për të tërhequr mallra, dhe anijete tipit kontenier po përballen me vonesa të gjata, me problemet, më të theksuara në portet e Roterdamit, Antwerp-it dhe Hamburgut, që pritet të zgjasin për të paktën disa muaj.
“Të gjitha qendrat kryesore portuale janë të tejmbushura,” tha Caesar Luikenaar, drejtor menaxhues i kompanisë holandeze të transportit detar WEC Lines. Ai tha se një sërë portesh të rëndësishme në mbarë Europën po funksionojnë në kapacitet të plotë.
Albert van Ommen, drejtor ekzekutiv i kompanisë logjistike holandeze Euro-Rijn Group, tha se ai e konsideronte këtë mbingarkesë si më të rëndën që nga pandemia, kur flukset e ngarkesave mbetën çuditërisht të larta dhe e tejkaluan kapacitetin e porteve që përballeshin me mungesa të fuqisë punëtore.
Këto probleme përbëjnë goditjen më të fundit për një sistem logjistik global, që deri së fundmi u mundësonte shumë kompanive të mbanin inventar minimal, të sigurta në faktin se shërbimet e planifikuara të transportit do të rifreskonin rregullisht furnizimet, sipas një kalendari të paracaktuar.
Kompania gjermane e logjistikës Contargo, ka paralajmëruar klientët e saj se anijet po presin mesatarisht 66 orë për të ngarkuar kontenierë në Antwerp dhe 77 orë në Roterdam. Këtyre anijeve u duhen intervale kohore të caktuara për t’u ngarkuar në terminalet e kontenierëve, për të siguruar një shkarkim dhe transport efikas të mallrave.
Casper Ellerbaek, drejtues i lartë në DHL Gjermani, tha se vonesat ende nuk kishin detyruar ndonjë nga klientët e tij të ndalte prodhimin për shkak të mungesës së përbërësve, por ai shtoi se një “dramë” e tillë mbetet një rrezik i mundshëm.
Van Ommen tha se në Antwerp, porti i dytë më i ngarkuar për kontenierë në Europë, anijet po shkarkonin nga tre deri në pesë ditë me vonesë.
Kompanitë logjistike fajësuan krizën për shkak të faktorëve të tillë si ndryshimet e menjëhershme në politikat tarifore të SHBA-ve nën presidentin Donald Trump, që i kanë detyruar linjat e transportit të kontenierëve të riorganizojnë rrjetet e tyre, për t’iu përshtatur flukseve tregtare globale që kanë ndryshuar ndjeshëm.
Problemet janë përkeqësuar më tej nga kufizimet mbi ngarkimin e anijeve në lumin Rhine, pasi thatësirat e pranverës e kanë lënë ujin në nivele jashtëzakonisht të ulëta.
Njëkohësisht, terminalet po përballen me riorganizime të mëdha në aleancat mes linjave të transportit detar, pasi Mediterranean Shipping Company e Zvicrës dhe Maersk e Danimarkës, dy linjat më të mëdha të transportit me kontenierë, kanë përfunduar marrëveshjen e mëparshme të bashkëpunimit. Këto ndryshime mund të sjellin ndërprerje afatshkurtra, pasi linjat ndryshojnë oraret ose kalojnë në terminale të tjera.
Ndërkohë, portet europiane po përballen gjithashtu me rritje të volumit të importeve nga Azia, pasi tarifat e larta të SHBA-vsë po bëjnë që mallrat të devijohen diku tjetër. Ellerbaek nga DHL fajësoi rritjen e mprehtë të vëllimit të kontenierëve nga Azia drejt Europës, të cilën ai e vlerësoi në rreth 7 për qind në vit, me ndryshimet në strategjitë e eksportuesve aziatikë.
Përfaqësues të industrisë thanë se operatorët e terminaleve, kryesisht kompani private që marrin me qira hapësira në porte nga autoritetet publike portuale, po nxitojnë të punësojnë staf të ri dhe të blejnë pajisje të reja për të lehtësuar presionin.
ECT, një nga operatorët kryesorë të terminaleve në Roterdam, pranoi se objekti ishte “mjaft i ngarkuar”, por këmbënguli se ky fenomen ishte i zakonshëm në portet e Europës Veriore. ECT përmendi si arsye ndryshimet në aleanca, kërkesën në rritje dhe “pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike”.
Mark Rosenberg, drejtor komercial për portet dhe terminalet në DP World të Dubait, i cili zotëron terminale në vende përfshirë Antwerp-in dhe Roterdamin, tha se ekipet e kompanisë së tij po “punojnë me përkushtim” për të menaxhuar fluksin e ngarkesave dhe për të “zbutur ndërprerjet sa herë që është e mundur”.
Autoriteti Portual i Antwerp-Bruges, institucioni publik që administron portin, pranoi se ka “mbingarkesë të shtuar dhe të zgjatur”. “Kjo sjell vështirësi operacionale afatshkurtra, por sistemet tona vazhdojnë të funksionojnë brenda kufijve të planifikuar.” Megjithatë, disa zëra në industri shprehën pesimizëm se mbingarkesa mund të zgjidhet lehtësisht.
Luikenaar tha se disa kompani të transportit, që i shërbejnë tregut lokal në Europë po detyrohen të kalojnë një javë, në vend të maksimumit normal prej tre ditësh, duke mbledhur kontenierë nga terminale të ndryshme në Roterdam për shpërndarje në portet e rajonit. Ai tha se do të duhen vite që investimet në kapacitete të mjaftueshme të zgjidhin të gjitha këto probleme. / FT