Tifozët e futbollit shprehin zemërimin e tyre për vendet e caktuara në stadiumet e Botërorit 2026. Biletat e Kategorisë 1 kanë pësuar një rritje të çmimit, ndërsa FIFA është akuzuar për veprime të papranueshme. Mijëra dollarë janë arkëtuar për bileta që premtonin vende prestigjioze, por tifozët janë dërguar në zona më pak të volitshme. Shumë blerës, që paguan shifra të larta, kanë përfunduar me stola në kënde apo në tribunat pas porte, të cilat ishin klasifikuar si Kategoria 2 ose më poshtë.
Sipas raportimeve në ‘The Athletic’, FIFA kishte tërhequr blerësit me planimetri që tregonin Kategorinë 1 në qendër të unazës së parë dhe të tribunave qendrore, por më pas modifikoi kufijtë e zonave. Vendet më të mira në linjat anësore u rezervuan për të ftuarit e Hospitality dhe paketat VIP. Një tifoz shprehu ndjenjën e tradhtisë, duke thënë se FIFA kishte mashtruar tifozët me ofertat e saj.
Zemërimi i tifozëve është përkeqësuar edhe nga mungesa e transparencës, pasi federata nuk publikoi planimetritë përfundimtare të impianteve para hapjes së blerjeve, duke lënë tifozët të blinin ‘në errësirë’. FIFA e justifikoi këtë duke thënë se planimetritë ishin vetëm si tregues dhe nuk përfaqësonin një angazhim formal për vendosjen e vendeve të caktuara. Sipas saj, ato ishin vetëm një ‘udhërrëfyes’ dhe jo konfigurimi përfundimtar i stadiumit.















