Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë, Klevin Thepi dhe Doronesto Kulla, të dyshuar si organizatorët kryesorë të rrahjes masive që ndodhi në Shkodër pranë shkollës “Shejnaze Juka”. Rrahja përfshiu rreth 15 të rinj, kryesisht adoleshentë të moshave 17-18 vjeçare, që fillimisht u përfshinë në një konflikt me grushte dhe më pas kaluan në përdorimin e sendeve të forta.
Ngjarja u shoqërua edhe me përdorimin e armëve të ftohta, përfshirë thika, duke rezultuar në plagosjen e tre adoleshentëve, të cilët morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka origjinë në një përplasje të mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se ka intervenuar në mbrojtje të vëllait të tij, një nxënës 17-vjeçar i shkollës “Shejnaze Juka”, duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë.
Ky incident ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal dhe vëmendje nga ana e autoriteteve, të cilat po hetojnë rrethanat që çuan në këtë ngjarje të dhunshme.















