Ben Blushi ka folur si rrallëherë për karrierën e tij në televizion dhe marrëdhëniet me disa prej gazetarëve më të njohur të ekranit shqiptar, me të cilët ka punuar ndër vite.
I ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, ish-drejtori i përgjithshëm i Top Channel rrëfeu pas skena, debate dhe vendime të vështira të periudhës së tij në krye të televizonit.
Dilema mes Fevziut dhe Grida Dumës
I pyetur se me cilin prej drejtuesve të emisioneve politike do të zgjidhte të punonte nëse do të drejtonte sërish një televizion, Blushi u ndal te dy emra: Grida Duma apo Blendi Fevziu.
“Më takon të them Fevziu. Me të kam histori të gjatë, 30-40 vite miqësi, pavarësisht se e shoh gjithmonë e më pak. Patjetër Fevziun,” u shpreh ai.
Në këtë krahasim, ai nuk e përmendi aspak drejtuesen aktuale të Top Story.
Marrëdhënia me Ylli Rakipin dhe Eni Vasilin
Në vijim, Blushi tregoi se ka pasur përplasje me Ylli Rakipin, ndërsa me Eni Vasilin bashkëpunimi ka qenë i suksesshëm.
“Me Yllin u ndava keq, pavarësisht se sot flasim. Enin e mora unë në Top Channel dhe punoi me mua 3-4 vite. Shkëlqeu. Shpresoj të jetë një drejtuese e mirë e RTSH-së. Nuk ka shumë eksperiencë administrative, por ka eksperiencë jete.”
Mbyllja e emisionit të Alban Dudushit
Blushi pranoi se ndarja me Alban Dudushin nuk ka qenë e mirë, pasi ai i mbylli emisionin “Top Show”.
“Me Dudushin nuk jam ndarë mirë. Ia mbylla emisionin, sepse sipas meje nuk funksiononte më. U mërzit me mua. Nuk e di ku është tani, nuk e shoh më.”
Lidhur me Rudina Xhungën, ai u shpreh se takohen herë pas here, por nuk beson se as ajo dhe as Dudushi do të preferonin të punonin sërish me të.
“Ka shumë njerëz që nuk duan të punojnë me mua. Kanë frikë nga miti që keni përhapur ju, që jam shumë i egër. Por nuk jam ashtu.”
Pse zgjedh Jonida Shehun dhe jo Sokol Ballën
Duke folur për gazetarët me të cilët ka bashkëpunuar, Blushi tregoi se Jonida Shehu ka qenë zgjedhja e tij si në Top Channel, ashtu edhe në Euroneës Albania.
“Me Jonidën kam punuar dy herë. Në Top e mora pasi e kishin larguar, pastaj edhe në Euroneës. E hoqën sapo ika unë. Kështu që do të ishte më mirë me të, edhe herën e tretë.”
Komplimenti për Arbanën dhe “veto” për Big Brother VIP
Në fund, Blushi dha edhe një vlerësim publik për Arbanën, duke treguar se ai kishte vendosur “veton” që ajo të moderonte Big Brother VIP.
“Ledion Liço apo Arbana Osmani? Ty patjetër. Ti je e talentuar për atë punë. Dhe gjynah që s’e bën Big-un. Më vjen shumë keq që nuk e bën. Ty patjetër, as nuk diskutohet. Ata më kërkuan që ta bënte Ledioni atë punë, unë nuk e pranova. Vura veton për ty, dhe bëra shumë mirë. Pse të vjen zor, pse nuk më sheh në sy?”















