Dy grupe të rinjsh shqiptarë u përleshën në qendër të Athinës, duke rezultuar në 26 të përfshirë dhe 8 të arrestuar. Ngjarja ndodhi në Kato Patisia, ku tre persona u plagosën rëndë me thikë, duke rrezikuar jetën pas plagëve të marra pranë zemrës.
Sipas mediave greke, incidenti u shkaktua nga një përleshje dy ditë më parë, ku shqiptari Enki Xhalli u rrah nga Xhesildo Gruda dhe Ioannis Panagiotis Polymenos jashtë lokalit “Beat”. Pas kësaj ngjarjeje, dy grupet, të udhëhequara nga Xhalli dhe Gruda, u mblodhën për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
Raportet sugjerojnë se sherri fillestar ishte për një vajzë, por ekzistojnë indicie se motivi i vërtetë ishte kontrolli i trafikut të drogës, pas sekuestrimeve të bëra në banesat e anëtarëve të grupeve. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi 97 gramë marijuanë, 51 gramë metamfetaminë, një pistoletë manovër, 6 thika dhe sende të tjera të paligjshme.
Ky incident tregon një shqetësim në rritje lidhur me dhunën, si dhe aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të drogës nga grupet e rinjve shqiptarë në Greqi.














