Ushtria siriane ka marrë kontrollin mbi fushën më të madhe të naftës në verilindje të vendit, pas tërheqjes së forcave kurde. Sipas informacionit nga autoritetet siriane dhe burimeve monitoruese, gjithashtu disa fusha gazi pranë saj tani janë nën kontrollin e ushtrisë. Avancimi i trupave qeveritare është rezultat i përleshjeve të ashpra që janë zhvilluar në ditët e fundit dhe njoftimit të Forcave Demokratike Siriane (SDF) për ripozicionim pas bisedimeve me zyrtarë amerikanë.
Më herët, ushtria siriane kishte marrë gjithashtu nën kontroll digën strategjike të Tabqas, një pikë kyç mbi lumin Eufrat. Presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, ka shprehur dëshirën për të integruar strukturat kurde në institucionet shtetërore, duke shpallur gjuhën kurde si gjuhë kombëtare dhe Vitin e Ri kurd si festë zyrtare. Kjo përbën njohjen e parë formale të të drejtave kombëtare kurde që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, SDF është tërhequr nga disa fshatra dhe qytete në provincën e Deir ez-Zor, duke përfshirë fushat e naftës Omar dhe Tanak, të cilat kanë qenë burim i rëndësishëm të ardhurash për to. Autoritetet siriane kanë akuzuar SDF-në për shkatërrimin e dy urave mbi lumin Eufrat, ndërsa javën e kaluar, të paktën 12 persona kanë humbur jetën në përleshje në qytetin e Alepos.
Përleshjet vazhdojnë pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar një armëpushim. SHBA ka mbështetur SDF-në për një kohë të gjatë, por gjithashtu mban marrëdhënie me qeverinë e re siriane. Pas rrëzimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, qeveria e re siriane dhe SDF nënshkruan në mars 2025 një marrëveshje për integrimin e strukturave kurde, që ende nuk është zbatuar për shkak të fajësimeve reciproke për vonesa nga të dyja palët.















