Shkroi: Jane Doe
Alfredo, nuk kam mbaruar me ty. Do vazhdoj të shkumëzoj zemërimin tim deri në qershor 2028. E di që më lexon çdo ditë, teksa tund me nervozizëm shishen e ujit në dorën tënde bufalaqe. Kujdes Manfredo! Një grua pa punë mund të bëhet shumë e rrezikshme. Një grua që ka lexu 3 libra në jetë, nuk njeh më limite. Pale pastaj një grua që flet me pseudonim.
Nuk ka qen që e ndal! Ti po vdes të mësosh kush jam unë. S’ke për ta gjetur kurrë! E para, sepse vëmendja nuk është stili im (jo se trembem nga ty) dhe e dyta, sepse ke aq shumë armiq në listë sa do të të duheshin vite e vite digjitale për të më gjetur.
Unë nuk jam Havana, që të pastron atletet e bardha me platformë. Nuk jam as Borëbardha që mund të varet nga flokët si Raunzel-i për ty, dhe të rrijë përgjithmonë me kokë poshtë.
Nuk jam Kryebaresha e Burimeve Çnjerëzore që në kohën e lirë lexon “Mein Kampf” dhe mban swastika në ballë. Nuk jam Fiku i Detit që ka mbledhur gjithë komunitetin e tij të Harvardit brenda RTSH-së. Nuk jam as DJ-i i dasmave që ke vënë drejtor teknik (sa lekë merr ky, se kam një synetllik?).
Po ti e ke IQ-në nën minimalen. Për ty mjafton mos të bjerë automati dhe ecim përpara. Me kë do ecësh me 200 km në orë? Me këta xhandarët e Saint Tropez? I shef ndonjëherë programet që bën xhandërmaria jote? Janë si provat teknike të TV 2000.
Televizioni nuk bëhet me staf që duket sikur ka dalë nga “The Flinstones”. Televizioni kërkon eksperiencë, seriozitet, nuhatje, inteligjencë emocionale, empati, shpejtësi të menduari, vepruari, etj. Televizioni kërkon qasje humane ndaj realitetit, sepse po nuk kuptove njeriun, s’ke si t’i flasësh njeriut. Fjalori që ti përdor në jetën tënde mediokre është po ai me të cilin ti i flet publikut. Po kush je ti për ta bërë këtë gjë? Pse je aty? Akoma nuk po e gjej algoritmin!
Por mos merr kot Alfredo! Ne të vjetrit e atij vendi e kemi të jetuar që sa më shumë bolba të bësh kur qas në RTSH, aq më shumë të thyhet hunda kur del. RTSH-ja të tjetërson! Nuk ka ekzorcist të të nxjerrë të keqen pasi të ka pushtuar i ligu. Dhe historia ka folur qartë. Por ti prapë nuk dorëzohesh! Sa i çmendur mund të jesh që të vazhdosh një sfidë që e di që e ke të humbur? Nga 1 në #lërefare, sa hajvan mund të jesh që të besosh vërtet në një revolucionin mediatik?
Ke kaluar çdo pritshmëri. Për keq! U fryve nëpër intervista ekskluzive për një kanal të lajmit, RTSH 24, sikur do e çaje lajmin dhe do bëje mrekullinë. “START” i ri, e quan ti, për një kanal që e gjete gati, dhe po e shkatërron. Ai kanali që ti e quan si investimin tënd është inauguruar nga Thoma Gëllçi, ish-drejtor i RTSH-së në maj 2018.
Ka bërë disa transmetime maratonë në kohëra më të vështira, e me gjithë sikletet e tërmetit dhe pandemisë u paketua në kohë rekord, si shumë rekorde të tjera të RTSH-së të bëra pa bujë.
Por ja ku shfaqesh ti, që do e bësh SËRISH TË MADHE. #zotmbajdorën.
Çfarë të rejash do sjellë ky kanal? Të njëjtin lajm që ke dhe në RTSH1? Cilët janë gazetarët më të mirë? Të njëjtët që kanë qenë dhe ca outlet-e që i ke sjellë ti… Çfarë infrastrukture po ofron për kanalin ekskluziv të lajmit? Çfarë imazhi të ri? U ule mbi një tavolinë të re dhe mendon se ajo do e bëjë të madhe fare? Po grafikat e kanalit i ke parë?

Të duken ok? Ha ha ha. Sa po qesh me këto! Edhe një fëmijë që praktikon design te TUMO e di që logoja e kanalit nuk mund të jetë më e vogël se ora. A ke sy në ballë, apo ia ke lënë Fikut të Detit të merret me faqosjen?

Po ça të kapësh e ça të lësh në RTSH Alfredo? Ka aq shumë miell të skaduar sa do të mjaftonte për të ushqyer me bukë të prishur gjithë Peqinin. Ti nuk e ke problem të ushqehesh me skarco, se është pjesë e evolucionit të specieve si ty. Problemi qëndron që bukën e mykur po ia servir një publiku të tërë. Po të braktis dhe ai. Shumë shpejt do e vjellësh… dhe do jetë një VRER i gjatë.

Post Scriptum:
Seç është një emision që ka filluar rishtazi, “Po sikur… halla të kishte koqe”… Mirë që titulli ngjan si test psikologjik, po të paktën mësoju pak shqip autorëve që ndjekin promot. Pajisi me një abetare ose çoju atë që përdor Fiku, ta kuptojnë një herë e mirë që “ËNDËRAT” shkruhet “ËNDRRAT” dhe “FRIKRAT” shkruhet “FRIKËRAT”. Je që je, bëji dhuratë Borëbardhës një fjalor shqip-shqip, se do na i çosh të rinjtë për fiq.
Vijon…