Pas shkarkimit të Ilir Prodës, Skënder Hita është emëruar në krye të Policisë së Shtetit. Hita ka filluar karrierën e tij në policinë shqiptare në vitin 2001, pas diplomimit në akademinë e policisë. Ai është trajnuar edhe në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet USAID, në vitin 2002, në një kurs që kishte fokusin në “korrupsionin dhe policinë”.
Gjatë karrierës së tij, Hita ka punuar në disa komisariate në Tiranë dhe ka marrë trajnime të tjera nga Bashkimi Europian dhe FBI, përfshirë Menaxhimin e Vendit të Ngjarjes në Akademinë ILEA në Budapest. Ai ka marrë çmime për kontributin e tij, duke përfshirë një certifikatë mirënjohjeje në vitin 2008 për 12 operacione të suksesshme.
Skënder Hita ka një përvojë të gjerë në hetimin e krimit të organizuar, operacionet speciale dhe Luftën kundër narkotikëve, duke shërbyer gjithashtu si drejtor i policive në disa qarqe. Gjatë marrjes së detyrave të mëparshme, Hita ka shprehur filozofinë e tij se “i vetëm nuk bën dot asgjë”, duke nënkuptuar se bashkëpunimi është kyç për të arritur rezultatet e dëshiruara në punën e policisë.















