FIER- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit. Sipas raportimeve, takimi i Ramës me drejtuesit vendorë ne bashkinë e Fierit dhe me deputetët e qarkut ka përfunduar.
Në takim kreu i qeverisë ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të bashkisë si dhe drejtuesve të institucioneve të cilat nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për zaptimin e hapësirave publike. Pas Fierit, Rama pritet të vizitojë edhe bashkinë e Durrësit.
Bashkia e Vlorës ishte e para që u përball me ultimatumet e kryeministrit, ku dhanë dorëheqjen 21 drejtorë të këtij institucioni. Vendimi i tyre erdhi një ditë pas takimit që kryeministri Rama pati për rreth 1 orë të enjten në këtë bashki, ku në qendër të kritikave ishte kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha.