TIRANË- Vendosja e biznesmenit Luftar Hysa në listën e zezë të SHBA-së ditën e djeshme ka pushtuar mediat vendase si dhe të huaja. Luftar Hysa njihet në botën e medias meksikane për lidhjet e tij me kartelin meksikan të drogës Sinaloa dhe për bizneset e tij në fushën e lojërave të fatit.
Por për mediat shqiptare emri i Luftar Hysës doli kur shkoi në kryeministri dhe zhvilloi një takim me kryeministrin Rama. Takimi mes tyre është zhvilluar më datë 4 tetor 2020, ku Dosja.al, raportoi ekskluzivisht në atë kohë takimin si dhe fotot kur Hysa shkoi në kryeministri.
Por për çfarë u mbajt takimi?
Arsyeja e takimit mes Ramës dhe Hysës aktualisht është ende e paqartë. Kjo për shkak se askush nga të dy ata apo persona të tjerë që kanë marrë pjesë në takim, nuk kanë treguar arsyen e vërtetë të takimit, ose një version të përbashkët. Dosja.al, ka bërë disa kërkime në lidhje me takimin e zhvilluar mes tyre, por nuk gjetëm dot një variant të vetëm.
Fillimisht ka qenë Luftar Hysa, që ka folur për këtë takim. Gjatë një intervistë për emisionin ‘Opinion’, Hysa më20 shtator 2022, ka deklaruar se takimi ka qenë për një projekt ‘reportazhi’ për Shqipërinë. Sipas Hysës, një mik i tij Max Milligan i ka kërkuar një takim me Ramën, për shkak se donte shumë të bënte një reportazh dhe një libër për Shqipërinë.
“Doja të takoja Edi Ramën për një histori shumë të bukur që do të doja ta ndaja me ju këtu. Kam një mik të mirë që është nga Anglia. Në fakt nga Skocia dhe jeton në Londër. Dhe ky miku im quhet Max Milligan. Jetova me të në Peru për tre vjet. Dhe Mak, vëllai i tij, ishte drejtor i SKY NEëS në Angli. Max është fotograf dhe bën libra. Ai bën fotografi dhe shkruan libra. Ai ka bërë libra për Perunë, Ganën, Bregun e Fildishtë, Islandën, Rumaninë dhe ky njeri gjithmonë ka dashur të bëjë një libër për Shqipërinë dhe të promovojë turizmin. Kam të gjitha mesazhet dhe bisedat me Maxin në telefonin tim. Dhe po kërkoja dhe duke parë që Rama është gjithashtu artist dhe i pëlqen kjo lloj fushe, i thashë se e vetmja gjë që mund të bëja ishte të propozoja këtë projekt që ai mund ta mbështeste. E gjeta Ramën përmes një miku tim gjerman, i cili është një mik i mirë i Shqipërisë dhe jam krenar që e kam mik. Dhe çfarë fola me të për atë që do ta ndihmonte Shqipërinë të hapte negociatat. Ai kishte ardhur për punët e tij dhe tha: “Më lejoni t’ju prezantoj me Kryeministrin”, tha Luftar Hysa.
Sipas Hysës, kjo është arsyeja e takimit me Ramën.
Por kryeministri çfarë thotë për këtë?
Kryeministri Edi Rama duket se nuk është dakord në lidhje me këtë deklaratë të Hysës, ose e ka harruar. Gjatë vitit të kaluar, Rama dha një intervistë për median italiane ‘RAI 3’, ku është pyetur nga gazetari në lidhje me akuzat e Opozitës se qeveria e tij ka lidhje me bandat kriminale.
Për takimin me Hysën në kryeministri, Rama u shpreh se një familje nga Vlora që ka ‘Marina Bay’ i ka prezantuar për shkak se e kishin të afërm dhe do i ndihmonte në menaxhimin e një kazinoje. Rama u shpreh se gjatë takimit, ai u ka prezantuar atyre paktën që qeveria kishte për hotelet me 5 yje.
‘Atje (në Vlorë) është një investim i një familjeje vlonjate. I ati është një person i njohur sepse ishte një nga aktivistët e gjelbër kundër Petroliferës Italiane. Familja ka investuar pak nga pak në ‘Marina Bay’. Pastaj më thanë se një i njohur i tyre që jeton në Meksikë dëshironte t’i ndihmonte për menaxhimin e një kazinoje. I thashë ‘dakord, hajdeni’. Erdhën, i takova, më kërkuan vetëm informacione për mundësinë e një projekti të tillë dhe u sqarova për paketën që ne kishim për hotelet me pesë yje: pa taksa për 10 vite, TVSH 6%, zero tarifa ndërtimi,’ tha Rama.
Siç e shihni të dyja këto versione nuk qëndrojnë bashkë. Nuk dihet se cili nga këto dy versionet është i sakti apo nëse ka një version të tretë për arsyen e vertetë të takimit. Por të dyja këto deklarata bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, çka na bën të dyshojmë për një motiv tjetër për takimin.















