Top Channel ka siguruar draft-raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Ky raport vlerëson progresin e shpejtë të vendit në negociatat e anëtarësimit, duke hapur të gjitha grup-kapitujt në një periudhë 13-mujore. Objektivi për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 është në arritje, megjithatë, kërkohet zbatim i plotë i reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet dhe lirinë e medias.
Parlamenti Europian thekson se forcimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e gjyqësorit janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë. Raporti identifikon sfida si polarizimi politik dhe përmirësimi i kulturës politike, të cilat kërkojnë konsolidim të reformave antikorrupsion dhe dialog social për rezultate më të mira. Progresi i arritur është i dukshëm, por ende mbetet nevoja për reforma të thella dhe të qëndrueshme.
Draft-raporti përfshin dhe disa parashikime mbi procesin e zgjedhjeve, duke shprehur shqetësime për barazinë e kushteve dhe abuzimet me burimet administrative, dhe bën thirrje për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Po ashtu, është vënë re polarizimi politik që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike.
Në fushën e drejtësisë, raporti përshëndet avancimin e reformës dhe procesin e vettingut, ndërsa kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë. Korrupsioni vijon të jetë një shqetësim serioz, me nevojën për hetime dhe dënime efektive.
Më tej, theksohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore dhe lirisë së medias, dhe angazhimi për mbrojtjen e grupeve të cenueshme. Një vëmendje e veçantë jepet për reformën në administratën publike dhe përmirësimin e transparencës buxhetore.
Në përfundim, raporti përsërit se përmbushja e objektivave të anëtarësimit do të kërkojë përkushtim të vazhdueshëm ndaj reformave dhe një politikë të përbashkët përballë sfidave që has vendi. Shqipëria, si vend kandidat që nga 2014, ka bërë progres të dukshëm, por duhet të adresojë me urgjencë çështje të brendshme për të arritur qëllimmët e saj evropiane.















