Në orën 3 të mëngjesit të kësaj të diele, akrepat e orës janë kthyer 60 minuta pas, duke shënuar kalimin nga ora verore në atë dimërore. Ky proces, i cili ndodh një herë në vit, do të përsëritet sërish më 29 mars 2026, për regjimin e verës. Ndryshimi i orës rregullohet nga një direktivë e Bashkimit Evropian nga viti 2000, e cila parashikon zhvendosje të orëve për një orë në të dielën e fundit të marsit dhe në të dielën e fundit të tetorit.
Më shumë se 70 vende në botë praktikojnë këtë ndërrim, ndërsa disa vende si Islanda, Turqia, Bjellorusia, Rusia, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia kanë zgjedhur të mos e aplikojnë. Po ashtu, shumica e vendeve aziatike, përfshirë India, Japonia, Kina dhe Mongolia, si dhe shumë vende të Lindjes së Mesme nuk e përdorin orën diellore.
Ndryshimi i orës më 26 tetor na ofron një orë shtesë gjumë, por ekspertët paralajmërojnë se trupi ynë ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Ora biologjike është më e ndjeshme se orët mekanike dhe procesi i përshtatjes mund të zgjasë disa ditë. Kjo çështje ka qenë një temë debati e vazhdueshme në Bashkimin Evropian, ku vështirësia për të balancuar kursimin ekonomik me zakonet shoqërore është në qendër të diskutimeve.
Në vitin 2018, Komisioni Evropian propozoi ndërprerjen e ndryshimit gjashtëmujor të orës, duke u mbështetur në rezultatin e një konsultimi publik ku morën pjesë rreth 4.6 milionë qytetarë. Shumica, ose 84%, e këtyre qytetarëve ishte pro heqjes së ndryshimit të orës çdo gjashtë muaj. Megjithatë, propozimi nuk u miratua, pasi kërkon miratimin e Këshillit dhe Parlamentit Evropian për t’u zbatuar. Deri më sot, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.















