Nga kontrollet e SPAK dhe BKH janë arrestuar 10 persona, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.
Zbardhen detaje të reja nga kontrollet e zhvilluara ditën e djeshme nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Raportohet se në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit zhvilluan mbrëmjen e djeshme disa kontrolle një ambient të marrë me qira në ambientet e një qendre tregtare që ndodhet përballë Kishës Ortodokse në qendër të kryeqytetit.
Ky biznes dyshohet se operonte si Call Center dhe i përket një personi të huaj italian dhe një ortaku shqiptar.
Kontrollet në objektin që ndodhet ngjitur me Gjykatën e Lartë, u bënë me qëllim gjetjen e materialeve apo sendeve të tjera me vlerë, lidhur me një hetim për mashtrim përmes call center-ave.
Aktualisht, në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 10 persona. Ndërkaq, dy persona, pronarë të call center janë shpallur në kërkim. Deri më tani janë bastisur 6 ambiente.
Kontrollet kanë nisur prej mëngjesit të djeshëm në disa objekte, pas firmosjes së kërkesës së prokurorisë nga Gjykata e Posaçme.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjuterë dhe sende të tjera dokumentare, që besohet se kanë lidhje me një çështje për mashtrime të qytetarëve të Bashkimit Europian.
Rasti po ndiqet dhe nga një prokuror i huaj dhe një prokuror shqiptar. Po ashtu gjatë aksionit të SPAK dhe BKH, kanë marrë pjesë edhe kameramanë të emisionit investigativ italian, LeJene.
Në terren ishte i pranishëm edhe drejtori i BKH-së, Jon Keta, gjë që thekson rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij operacioni për strukturat e reja të drejtësisë shqiptare. Kontrollet e djeshme janë zhvilluar për disa orë dhe ka pasur prezencë shumë të lartë policie.















