Pas kërkesës nga ministrja e Shëndetësisë, ekipi i profesorëve të Gjinekologjisë ka filluar përgatitjen e përditësimit dhe njëhsimit të protokolleve mjekësore me ato të spitalesh prestigjioze në Evropë. Kjo iniciativë ishte në fokus të kongresit ndërkombëtar të obstetrikës dhe gjinekologjisë, ku u diskutuan avancimet në kirurgjinë mini-invazive dhe risitë shkencore, veçanërisht në trajtimin e infertilitetit.
Eliona Demaliaj, doktore në Maternitetin “Mbretëresha Geraldine”, theksoi nevojën për të modernizuar protokollet mjekësore, duke i unifikuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe me ato europiane. Në këtë kontekst, ajo përmendi se një në gjashtë çifte hasin vështirësi për të ngelur shtatzënë, një situatë që lidhet me faktorë të ndryshëm, si mosha, infeksionet, si dhe konsumimi i alkoolit dhe duhanit. Ajo inkurajoi çiftet që të vizitojnë mjekët pa stigmatizime.
Nga ana e tij, Prof. Ludovico Muzii nga Universiteti La Sapienza, theksoi rëndësinë e ndarjes së protokolleve dhe shpërndarjes së eksperiencave mjekësore, duke shpjeguar se këto masat do të sjellin përfitime për pacientët shqiptarë dhe italianë. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të avancuar kirurgjinë mini-invazive dhe për të adresuar problemet lidhur me infertilitetin dhe uljen e numrit të lindjeve, një çështje që kërkon vëmendje.
Profesorët e La Sapienzas vlerësuan aftësinë e ekipit mjekësor shqiptar për të aplikuar teknikat më të reja në fushën e gjinekologjisë, duke shprehur besimin se ky përmirësim do të ndikojë në shëndetin dhe mirëqenien e populatës. Kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë pritet të sjellë një qasje të re dhe më efikase në trajtimin e problemeve të infertilitetit në Shqipëri.















