Dorëhiqen nën presionin e Kapterr Pezës, katër specialistet e sektorit të prokurimeve në RTSH. I përbërë nga 5 punonjës, sektori i rëndesishëm i fondeve për blerje dhe shërbime, ka mbetur sot vetëm me përgjegjësen, e cila më shumë se me punën, ka lidhje me Kapterrin.
Ky njeri i rekordeve, që ka ditur të kalojë nga kapterr në miliarder, mesa duket nuhat edhe qindarkat. Padurimi për t’i prekur me dorë, e ka çuar ne presione të papërballueshme për punonjësit normal, që nuk po presin më t’i heq komisioni famëkeq i nënkapterrëve, por po nxitojnë te shpëtojnë veten nga stresi dhe shkeljet ligjore, që u kërkohen.
Sektori i prokurimeve, ka në strukturë 4 specialistë juristë dhe ekonomistë si dhe përgjegjësen. Por të katër specialistet e afta profesionalisht, (tashmë të dorëhequra), ishin vënë së fundmi nën komandën e një përgjegjeseje të vendosur në këtë pozicion nga kapter Peza.
E shkreta, i është mirënjohëse, sepse të vetmen eksperiencë pune, ka patur si punonjëse në një nga çerdhet e fëmijëve të kryeqytetit. Në këto kushte, specialistet kanë vendosur më mirë të dorëhiqen dhe të mbeten të papuna, se sa t’i nënshtrohen injorancës së Drejtorit shkrimtharo-juridik dhe paaftësisë së Drejtorit të Pergjithshëm, për të nenshkruar procedura prokurimesh në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit publik.
Mungesa e specialistëve në këtë sektor, fut tashmë në kolaps të plotë prokurimin e shërbimeve dhe pajisjeve, aq të nevojshëm në një RTSH, që po vuan deri mungesën e letrës. Javën e shkuar, ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i Web, të cilit gjithashtu, sipas burimeve te sigurta, i është kërkuar të firmosë disa preventiva të dyshimtë.
Me praktikën e presionit për të firmosur tendera, kapteri ka larguar nga puna disa ditë më parë edhe kryeinxhinierin e RTSH, fjalëpakun Dritan Mila, pas rezistencës së këtij të fundit.
Dy ditë para tij, pas po të njëjtit kërcënim nga Drejtori shkrimtharo-juridik Lamaj, “o firmos, o ik nga puna”, pat dhënë dorëheqjen edhe një nga mjeshtrat e audios në gjithë sistemin televiziv shqiptar Genti Janku.
Por kapterrit nuk i dhembin njerëzit apo institucioni. Ka rrugës plot, pavarësisht se pa kurrfarrë lidhje me televizionin. Në kuadër të “reformës”, ai ka shtuar magazinierët, nga 2 në 4. Po ja që jo gjithmonë, prurjet përshtaten. Një nga magazinerët e rinj, sot i ka dalë kapterrit nga rreshti dhe … Ka dhënë dorëheqjen.
Kjo ndoshta mund ta shqetësojë më shumë Këshillin Drejtues. Dezertimi i rekrutëve të rinj në kazermën RTSH. Se për profesionistët, nuk po mendon më askush.