Hakerët rusë kanë arritur përkohësisht të marrin kontrollin e një dige në Norvegji më 7 prill, sipas një deklarate nga shefja e Agjencisë së Kundërzbulimit të Norvegjisë, Beate Gangaas. Ky është incidenti i parë që Oslo ia atribuon zyrtarisht një sulmi kibernetik të organizuar nga Rusia, duke shënuar një rritje të shqetësimeve për sigurinë e infrastrukturës energjetike në vend.
Gangaas njoftoi se gjatë sulmit në digën e Bremanger, hakerët kanë hapur një portë dhe kanë lejuar që 500 litra ujë të lëshohen në sekondë për katër orë, përpara se të zbulohej dhe të ndalej ky akt. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar. Norvegjia, e cila prodhon shumicën e energjisë së saj elektrike nga digat hidroelektrike, ka pasur paralajmërime të vazhdueshme nga autoritetet e inteligjencës për rreziqet e sulmeve kibernetike.
Gangaas e përshkroi këtë incident si pjesë të një aktiviteti në rritje nga aktorë kibernetikë prorusë, duke theksuar se qëllimi i këtyre operacioneve është shkaktimi i frikës dhe kaosit mes popullatës. Ajo e konsideroi Rusinë si një fqinj më të rrezikshëm. Ambasada ruse në Oslo ka anatemuar deklaratat e Gangaas, duke i cilësuar ato si “të pabaza dhe të motivuara politikisht”, dhe akuzoi Agjencinë Norvegjeze të Sigurisë për përpjekje të dështuara për të mbështetur një narrativë të frikshme mbi kërcënimin rus.
Sipas inteligjencës britanike, Rusia po planifikon një “fushatë të pamatur” sabotimi në Evropë, me qëllim që të frikësojë vendet evropiane dhe të pasigurojë mbështetje për Ukrainën. Moska ka hedhur poshtë këto akuza.
Pas fjalimit të saj, Gangaas tregoi se qëllimi i saj ishte të paralajmëronte popullatën dhe të parandalonte sulme të tjera nga Rusia. Norvegjia, si anëtare e NATO-s dhe furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, gjithashtu ndan një kufi me Rusinë në Arktik, duke e bërë këtë situatë edhe më delikate.















