“Në shënjestër”
Dokumentari/ Pjesa e Parë
Tashmë, nuk përbën më sekret.
Ato dolën dhe janë aty, përpara nesh.
Pa emër, por me ngjyrën e tyre, duke na provuar atë që deri dje, ishte vetëm një përfolje dhe asgjë më shumë.
Por që sot janë një barrë prove, që na tregon përmasat e vërteta se deri në çfarë niveli ka mbërritur korrupsioni në Shqipëri.
Para që ulërasin fort, duke na treguar se korrupsioni në qeverinë Rama jo vetëm nuk është luftuar, por me shumat e fundit të gjetura në apartamentin e zyrtares së tij, duket se ka marrë përmasa edhe më groteske.
Skandal që duket se shkërmoqi njëherë e mirë edhe ngrehinën e ngritur me aq kujdes nga kryeministri Rama, për luftë të paepur të qeverisë se tij ndaj korrupsionit, por që rrëzoi edhe mitin e ngritur me aq sofizëm prej tij, se gratë në poste zyrtare janë më pak të korruptuara se burrat.
Mit, që u desh një pastruese e vetme, për ta rrëzuar në fare pak ditë.
Në këtë dokumentar të përgatitur nga emisioni ‘Në shënjestër’ do të flasim pikërisht për nivelin e përfshirjes së zyrtarëve të lartë qeveritarë në korrupsion, por edhe në ngjarje kriminale.
Dokumentar ku do të ndalemi në tri rastet më të fundit, ku këtë herë emra të përveçëm që dalin të lidhur me korrupsionin dhe krimin janë zyrtare të qeverisë Rama.
Rasti i parë dhe më i bujshmi, ku do të përqëndrojmë vëmendjen, është ai i Alda Klosit, ish-zyrtare në Kryeministri.
Një emër, deri dje jo shumë i lakuar, jashtë fokusit kryesor të medias, por që mori vëmendje pas lajmit se në banesën e saj u grabitën qindra mijëra euro, dollarë dhe bizhuteri me vlerë të çmuar.
Grabitje, që sipas policisë u krye më 15 dhjetor 2022, nga Rozeta Dobi dhe i biri i saj Havier Dobi.
Rozeta Dobi që rezultoi të ishte pastruese në apartamentin e zonjës Klosi.
Ngjarje, e cila më shumë se sa akti i pastrueses dhe të birit, vëmendja e opinionit publik u përqëndrua te pasuria e jashtëzakonshme monetare që kishte grumbulluar në fare pak vite punë zyrtarja e qeverisë Rama.
Por edhe te dëshmitë e saj kontroverse, mbi legjitimitetin e këtyre parave.
Çka rriti ndjeshëm dyshimin te media dhe opinioni publik, se këto para ndryshe nga sa deklaronte zonja Klosi, ishin fryt i një afere korruptive.
Që lidhej edhe me pozicionet e saj më të mëhershme të punës, por edhe me aferën e inceneratorëve, ku ishte një nga zyrtaret që thuhet se kishte kaluar në duar, letrat.
“Profesioni im është juriste. Prej rreth 2 muajsh unë kam marrë një banesë me qira tek pallatet ‘Orion’, në Rrugën e ‘Kosovarëve’ dhe jetoj së bashku me vajzën time e cila është 16 vjeçe.
Sot rreth orës 10.08 kam dalë nga banesa, kam mbyllur derën me çelës dhe kam marrë makinën poshtë pallatit. Gjatë kësaj kohe kam shkuar në një takim me dy mikeshat e mia tek OSSHE. Pasi kam mbaruar takimin kam shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Rreth orës 14.00 më ka telefonuar vajza ime dhe më ka thënë se dera e banesës ishte e hapur.
Unë i thashë se e kam mbyllur derën por ajo më tregoi se të gjitha rrobat ishin të shpërndara nëpër dhomën e gjumit”, deklaroi Alda klosi më 15.12.2022
Por siç thamë ato që e rënduan më shumë pozitën e zyrtares Klosi para ligjit, u bënë dëshmitë e saj dhënë para grupit hetues mbi origjinën e parave të grabitura nga pastruesja e në apartamentin e saj.
Apartamentin ku ajo tha se jetonte me qira, gjatë dy muajve të fundit.
Sipas dëshmisë së parë të dhënë para oficerëve të policisë, ditën e ngjarjes, Alda Klosi rezulton të jetë shprehur se në këtë ditë ka qenë në Shqipëri.
Dhe se lajmin për grabitjen e mësoi nga vajza e saj, e cila e kishte gjetur banesën në gjendje të ç’rregullt.
Dëshmia e vajzës së Alda Klosit:
Më datë 15 Dhjetor 2022, rreth orës 7.30, unë kam dalë nga banesa dhe kam shkuar në shkollën ‘Sami Frasheri’, ku jam nxënëse në vitin e parë. Unë kam qëndruar në shkollë deri në orën 11.30. Më pas jam ulur te një hotel që ndodhet te Rruga e ‘Barrikadave’ ku kam pirë kafe me shoqërinë e klasës.
Rreth orës 13.50, unë kam shkuar tek zyra e nënës sime, Alda Klosi, tek zona e Gardës, ku kam qëndruar vetëm për disa minuta, dhe më pas në këmbë kam shkuar tek shtëpia në Rrugën e ‘Kosovarëve’. Në momentin që ndodhesha në banesë konstatova se dera ishte pak e hapur.
U futa në shtëpi dhe pashë se pjesa e kuzhinës ishte në rregull, ndërsa në dhomën e gjumit konstatova se rafti ishte i hapur dhe të gjitha rrobat ishin të hedhura në tokë. Pas këtij momenti telefonova menjëherë mamanë time, ku i tregova për situatën.
Kjo dëshmi e vajzës u mbështet edhe nga mamaja e saj.
E cila siç rezulton më pas, rendi drejt apartamentit të saj për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Dëshmia e Alda Klosit, 15 Dhjetor 2022:
Pasi fola me vajzën, menjëherë u nisa për në banesë, ku konstatova se tek dhoma e gjumit të gjitha rrobat e dollapit ishin të hedhura mbi krevat dhe në dysheme.
Aty vura re se më mungonin të gjitha bizhuteritë e shumë viteve të cilat kanë qenë tek sirtari i parë i komodinës së vogël në krah të dollapit. Pas këtij konstatimi unë lajmërova policinë në telefon.
Deklarimet e nënës dhe vajzës, u përforcuan edhe nga administratori i pallatit, ku ato banonin.
I cili tregoi se si e gjeti vajzën duke qarë, vetëm pak minuta para se aty të mbërrinte policia.
Në dosjen hetimore thuhet se administratori i pallatit ‘Orion’ A. N, deklaron se më datë 15 Dhjetor 2022, rreth orës 14.00 e ka telefonuar një banor i pallatit të cilin e njihte me emrin Landi dhe i ka thënë se kishte ngelur një fëmijë në ashensor.
Pas kësaj, ai thotë se menjëherë ka shkuar tek pallati dhe ka shikuar një zonjë që banon në katin e parë, që po qante në trotuar dhe disa persona të tjerë. Këtu ai është afruar dhe ka mësuar në lidhje me vjedhjen e banesës së shtetases Alda Klosi.
Ai sqaron se gjatë kohës që ka qenë në punë, duke filluar rreth orës 06.30 dhe deri në orën 12.30, koha kur është larguar fillimisht, nuk ka parë ndonjë person të dyshimtë.
Por, siç do të shikohet më poshtë në intervistimin e saj të parë nga oficeri i policisë gjyqësore, Alda Klosi, nuk flet asgjëkundi për sasinë e madhe të parave që ishte grabitur në banesën e saj.
Por vetëm për para që sipas saj shërbenin për shpenzime vetjake.
“Nga kontrolli paraprak kam konstatuar se më mungonin edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Gjithashtu mua më mungonin edhe bizhuteritë nga të cilat katër kanë qenë byzylykë floriri, disa unaza, disa palë vëthë dhe bizhuteri të tjera por që unë nuk jam në gjendje t’i përshkruaj, si dhe vlerën nuk jam në gjendje ta përcaktoj”, ka deklaruar ajo.
Por zbulimi që do vinte më pas do të ishte tronditës.
Pasi nga hetimet dhe identifikimi i autorëve të grabitjes, që në fillim dukej një vjedhje e zakontë, rezultoi se shuma e parave i kalonte shumëfish shpenzimet vetjake.
“Banesa ka 5 çelësa dhe një kopje e kam unë, një kopje vajza ime, dhe një kopje pastruesja e cila quhet Roza por mbiemrin nuk ja mbaj mend.
Në kohën që unë kam dalë nga apartamenti nuk ka patur asnjë person. Nuk kam parë ndonjë person të dyshuar konkret por e le në gjykimin tuaj për të vlerësuar gjithë rrethin e personave që ju mund të vlerësoni si të dyshuar”, deklaroi Alda Klosi.
Por ndërsa Alda Klosi jepte këto deklarime, e gjithë vëmendja e grupit hetues u ndal te pastruesja e saj, që mundi të sigurojë falë metodave speciale të hetimit, prova të forta se pas grabitjes së zyrtares së lartë, qëndronte pikërisht ajo edhe dhe i biri i saj.