GJERMANI- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zhvilluar së fundmi një intervistë me BBC ndërsa gjatë fjalës së tij ka pranuar akuzat e SHBA-së se Evropa po bënte shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj. Merz më tej shtoi se sërish beson se tani Evropa është në të njëjtën linjë.
“E dimë që duhet të bëjmë më shumë vetë dhe në të kaluarën kemi bërë shaka,” tha ai për programin “Today” të BBC-së.
Merz më tej shtoi se që nga marrja e detyrës si kancelar e ka takuar presidentin amerikan, Donald Trump tre herë. Këto takime ai i ka cilësuar si të mira pasi sipas tij Trump është në të njëtën linjë me Evropën për ti dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai gjithashtu shtoi se përveç luftës me Trump ka biseduar edhe për tarifat tregtare.
“Jemi në telefon një herë në javë; po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare,” tha ai.
Merz u shpreh se e shohin një kërcënim të madh nga Rusia. Sipas tij ky kërcënim nuk është vetëm për Ukrainën por edhe për paqen, lirinë e Evropës. Merz së bashku me Mbretërinë e Bashkuar Francën po punojnë për një aleancë të quajtur E3, e cila, sipas kancelarit gjerman do të përqendrohet jo vetëm në siguri dhe politikë të jashtme, por edhe në rritjen ekonomike.
Kancelari tha se tani është shumë i afërt me Keir Starmer dhe me presidentin francez gjithashtu. Ai bëri me dije se Macron do ta vizitojë atë në Berlin javën e ardhshme.