Opinion nga Timoni.al
Ditën e djeshme, gjatë vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, një nga katër votat pro ish-ministres ishte vota e Sonila Bejtes. Një gjyqtare që në praktikë mbrojti Ballukun pikërisht në momentin kritik, ndërkohë që bashkëshorti i saj, kryeredaktor i Syrit TV.
Me Sonila Bejtjen nuk kemi të bëjmë me një debat teknik kushtetues por me një skizofreni të hapur politike dhe morale që fyer inteligjencën e çdo qytetari. Sepse nga njëra anë kemi bashkëshortin e saj që çdo edicion lajmesh në Syri TV bën moral, denoncon skandale, flet për grabitje koncesionesh, për tendera për 5 miliardë euro të zhdukura nga taksat e shqiptarëvepër Ballukun, si simbol të korrupsionit qeveritar dhe nga ana tjetër kemi Sonila Bejten, që shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe me votën e saj del në mbrojtje të interesit të po së njëjtës Belinda Balluku. Kjo nuk është thjesht kontradiktë kjo është hipokrizi e pastër në nivel institucional.
Nuk mund të denoncosh ditën grabitjen e miliardave dhe natën të ndihmosh shpëtimin politik të autores së atyre skandaleve. Nuk mund të shesësh opozitë në ekran dhe pushtet në sallën e Kushtetueses. Nuk mund të flasësh për drejtësi për koncesione të vjedhura për tendera të manipuluar për 5 miliardë euro, që kanë ikur nga xhepat e shqiptarëve dhe pastaj të justifikosh me “interpretim juridik” një votë që i shërben drejtpërdrejt njeriut simbol të atij sistemi grabitqar.
Sonila Bejtja nuk është thjesht një gjyqtare ajo është pjesë e një familjeje publike, që ka ndërtuar kapital politik mbi moralin opozitar dhe pikërisht për këtë arsye vota e saj nuk është neutrale, nuk është e pafajshme, dhe nuk kalon pa kosto, sepse ose ajo votë përfaqëson bindjen reale të kësaj familjeje dhe atëherë gjithë morali i Andi dhe Sonila Bejtes është mashtrim. ose kemi të bëjmë me një ndarje cinike rolesh ku njëri flet për popullin dhe tjetra vendos për pushtetin.
Kjo është arsyeja pse kjo histori është kaq e rëndë sepse nuk flasim për një tender të vogël apo një çështje periferike por për miliarda euro koncesione e tendera që SPAK i ka në dosje. Që lidhen me Ballukun dhe qeverinë dhe në momentin më kritik, kur drejtësia duhet të jetë e pamëshirshme, del një votë që e zbut goditjen dhe i jep oksigjen politik pushtetit.
Kjo është Sonila Bejtja simbol i një elite që flet ndryshe dhe vepron ndryshe që ndërton opozitë për kamerat dhe kompromis për pushtetin e vërtetë. Dhe heshtja e Andi Bejtes dhe e opozitës për këtë votë është po aq e rëndë sa vetë vota. sepse tregon se morali përdoret si dekor jo si parim dhe për këtë arsye njerëzit nuk besojnë më askënd sepse në këtë vend mund të denoncosh 5 miliardë euro grabitje në darkë dhe në mëngjes të ndihmosh sistemin që i ka grabitur dhe ta quash këtë normalitet institucional.
Vota 4 me 4 në Gjykatën Kushtetuese është një turp institucional dhe një dështim moral me emër e mbiemër. Nuk është më çështje interpretimi kushtetues, por çështje hipokrizie, pazari dhe standardesh të dyfishta që po e brejnë opozitën dhe besimin publik deri në palcë.
Kur Sonila Bejtja, gjyqtare kushtetuese dhe bashkëshorte e kryeredaktorit të Syrit TV, një media që prej vitesh shet moral opozitar dhe luftë kundër regjimit, rreshtohet në mënyrë perfekte me interesin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, atëherë askush nuk ka më luksin të heshtë. Kjo nuk është thjesht votë. Është mesazh.
Mesazhi është i qartë: kur vjen puna te pushteti real, parimet treten. Kur përballë është një dosje 5 miliard euro, morali bëhet relativ. Kur SPAK godet një nga figurat më të forta të qeverisë, dalin “interpretime kushtetuese” që rastësisht i shërbejnë pushtetit. Dhe opozita? Opozita bën sikur nuk sheh, nuk dëgjon, nuk kupton.
Askush nuk po flet për prova penale. Por politika nuk matet vetëm me prova, matet me integritet. Dhe këtu integriteti është shembur. Perceptimi publik është katastrofik: një gjyqtare e lidhur familjarisht me një nga zërat më të fortë opozitarë, voton në një mënyrë që objektivisht ndihmon Ramën dhe Ballukun në momentin më kritik të tyre. Dhe askush nga opozita nuk del të thotë: “Kjo është e papranueshme”.
Belinda Balluku është e pezulluar për shkelje të barazisë në tendera mbi 200 milionë euro. SPAK kërkon arrestimin e saj. Dhe në vend që fronti kundër korrupsionit të jetë i bashkuar, shohim çarje, heshtje dhe sjellje që ngjajnë më shumë me pazar sesa me parim.
Këtu lind pyetja që djeg: ku shkoi morali i opozitës? Ku shkuan britmat për drejtësi? Ku shkuan fjalimet për standarde, për shtet ligjor, për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit? Apo morali vlen vetëm kur nuk prek njerëz “tanët”?
Sepse le ta themi troç: edhe nëse gjithçka është “ligjërisht e justifikuar”, politikisht dhe moralisht kjo histori mban erë të rëndë. Dhe kur politika mban erë, qytetarët e ndjejnë të parët. Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk besojnë më as te drejtësia, as te opozita, as te mediat “morale”.
Në një demokraci serioze, lidhje të tilla, vota të tilla dhe heshtje të tilla do të sillnin distancim publik, transparencë dhe llogaridhënie. Në Shqipëri, sjellin vetëm mbrojtje reciproke dhe zvarritje morale.
Dhe ky është krimi më i madh: jo thjesht një votë në Kushtetuese, por vrasja e shpresës se dikush këtu bën politikë me parime dhe jo me interesa.















