Ambasada e Holandës në vendin tonë, në një reagim pas votimit në Kuvend, e cilëson ndjekjen penale të korrupsionit si kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”, thekson ambasada.
Më herët ambasada gjermane në Tiranë reagoi pas vendimit të Kuvendit, që rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Ballukut. Ambasada gjermane thekson se ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në rastet e zyrtarëve të lartë është kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në reagim.
“Imuniteti parlamentar nuk mund të jetë pengesë për llogaridhënie para ligjit”! Ky ishte mesazhi që ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë i drejtoi politikës para nisjes së seancës për Ballukun.
“Ambasada britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi, si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet zyrtarisht.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut u rrëzua me 82 votat e socialistëve, ndërsa 47 deputetë të opozitës votuan pro.















