Reshjet e shiut që kanë prekur Shqipërinë që nga orët e para të ditës kanë shkaktuar probleme në disa zona. Strukturat e emergjencave civile, nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për ndihmën e qytetarëve të prekur.
Një familje me pesë anëtarë u evakuua nga fshati Dukagjin i Ri, në njësinë administrative Thumanë, për shkak të ujit në banesë. Në njësinë administrative Zejmen, përmbytjet nga përrenjtë e Prullit dhe Pllanës çuan në përmbytjen e katër banesave, ku banorët u akomoduan përkohësisht nga strukturat lokale. Forcat e emergjencave po kryejnë tërheqjen e ujit dhe pastrimin e ambienteve të prekura.
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionet për situatën në qarqe të ndryshme. Në qarkun Durrës, puna vazhdon për të eliminuar pasojat e reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, ndërkohë që nivelet e ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm janë normale. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj po punojnë me kapacitet të plotë.
Në Dibër, situata është e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në disa njësitë. Grupi i OSHEE është angazhuar për riparimin e defekteve. Në qarkun Lezhë, ekipet po punojnë për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat përreth, ndërsa në Kukës është raportuar rënie inertesh në disa akse rrugore.
Qarku Shkodër po përballen me pastrimin e inerteve, sidomos në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit, ndërsa segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar. Në Elbasan, nuk ka problematika të dukshme, përveç rënies së inerteve në disa segmente rrugore, të cilat po pastrohen.
Sa i përket situatës energjetike, ekipet e OSHEE janë duke punuar për rikthimin e energjisë në fshatra të shumtë në Mirditë, Kukës, Tropojë dhe disa njësive në Qarkun Gjirokastër, si dhe në disa zona të Qarkut Korçë. Në qarqet e tjera nuk janë raportuar probleme.















