Shkroi: Jane Doe
Kur Alfredi konkurroi me platformëm e tij madhështore që do nxirrte RTSH-në nga koma, përballë Këshillit të Murgjve, ai u zotua se do bënte magji me këtë institucion dhe do e bënte “sërish të madhe”. Se çfarë kuptonte Alfredi me këtë, nuk e di askush, as murgjit, madje as vetë ai. Por tek murgjit, kjo fjalë magjike goditi si monolit. Përveç artikulimit brilant prej peqinsi me prejardhje të pastër ilire, Alfredi kish shpalosur para tyre edhe një broshurë me bojëra dhe xixa, me brenda saj gjithë strategjitë e tij për të hequr pluhurin e viteve nga RTSH, pluhur të cilin ai nuk e dinte që kishte disa burra me më shumë këllqe se ai, që ia kishin hequr me kohë.
Por le të mos merremi me histori që Alfredi nuk i metabolizon dot. Ky butak i ujërave të turbullta fitoi me 9/9 vota për t’u bërë drejtor. Asnjë vlefshmëri ligjore në kandidimin e tij! Asnjë ide inovative në platformë! Asnjë informacion minimal paraprak për institucionin ku do të zgjidhej shumë shpejt CEO! Deri më sot, asnjë premtim i mbajtur! Asnjë surprizë!
Por cila është “RTSH-ja e madhe sërish”, rilindja (fjalë makabre në kohët që jetojmë)?… ajo që premtoi z. Fshesa. Le të bëjmë një analizë fare të thjeshtë dhe jo shumë profesionale (në mënyrë që ta kuptojë dhe Alfredi me 40 hajdutët):
- Emisionet aktuale të televizionit publik janë të gjitha replika, një miksim mes emisioneve të kaluara që ai i gjeti dhe i shkatërroi, dhe atyre të TV-ve të tjera kombëtare. Për disa është lodhur vetëm duke u ndryshuar emrin. Disa të tjerave u ka lënë emrin, por u ka përçudnuar formën dhe përmbajtjen.
- Në RTSH-në e madhe sërish ka prezantues e folës jo-televizivë, imazhe që jo vetëm janë të papërshtatshëm për ekran, por kanë probleme me artikulimin, njohurinë e shqipes, etj. Është e paprecedent që prezantues dhe vetë drejtues aktualë në RTSH lejojnë të shprehen me “puntatë”, në vend të “episod”. Kjo ndodh rëndom edhe në faqet zyrtare sociale, të cilat me siguri menaxhohen nga ndonjë 18-vjeçar(e) që fjalorin e shqipes e përdor për të niveluar karrigen e kompjuterit të zyrës.
(@AMA zgjohu nga gjumi!). - Faqosja grafike është një parodi e grafikave të dikurshme. Asnjë ide origjinale! Kreativitet shterpë që vihet në funksion të promovimit të bëmave të Alfredit në RTSH-në e madhe. Korniza të bardha dhe dizajne që të kujtojnë Ushqimin Social, që vijëzojnë rinovimet monstruoze të butakut me një propagandë të shëmtuar promovuese. Le të mos flasim për copywriting pastaj, pasi mund t’i shpërthejë truri nga kjo fjalë dhe nuk dua aspak që kjo të ndodhë, të paktën jo tani!
- Në organikën e re në RTSH, drejtor Fshesa ka përfshirë një kategori mjaft efikase: spiunin. RTSH gëlon nga spiunët. Ashtu si tek rrathët e Dantes, çdo kat ka një gardian: njëri denoncon herezitë, njëri dhunën, njëri lakmitarët, një tjetër mashtruesit e kështu me radhë. Veç misionit sekret inteligjent, spiunët kanë edhe një mision tjetër, të venerizojnë në gjithë faqet e tyre liderin suprem, me metoda të orkestruara nga vetë AI.
Sekretare e këtyre të fundit është zgjedhur zonja me kone, Havana U NA NA. Ajo thurr lavde në mediat e saj sociale dhe së fundmi shpreson mos kapë ndonjë ofiq diçka më të rëndësishëm, që s’ka për ta kapur kurrë sigurisht, sepse ato poste i kapin vetëm ngjalat që plotësojnë kriteret e peshës dhe trashësisë së buzëve sipas Liderit Suprem. Pas vitheve të kobshme të Havanës qëndron një ushtri e mirëstërvitur spiunësh, një pjesë e të cilëve janë promovuar në poste të mira e një pjesë janë po ajo buka e vjetër që e kanë profesion dhe e bëjnë spiunin edhe pa marrë asgjë mbrapsht. Këta të fundit ushqehen me fara zogjsh dhe cicërinjë zyrë më zyrë për të rejat më të fundit: kush shau kë, kush u rrah me kë, e të tjera #shipërçapaguhem si këto. Këtë kategori Alfredi e ka kthyer në art. Të gjithë postojnë krenarisht për arritjet e liderit suprem dhe i falen nga mëngjesi deri në orën 16:00. (Havana poston edhe pas orarit zyrtar). Strategjitë e spiunazhit kanë shkuar aq larg, saqë ky mentalitet është kthyer në një fenomen pop-kulturor brenda në RTSH (Fredi, hyr në Google për këtë). - Shikueshmëria e rrjetit ka rënë nën zero. Asnjë risi, asnjë marketing, vetëm lemerira në ekran! Prodhimet e RTSH-së që dikur kanë thyer rekorde të mundimshme në tregun aq të vështirë televiziv, tani as që ëndërrohen. Asnjë event sportiv për t’u shënuar! Asnjë projekt për identitetin kombëtar! Asnjë iniciativë për të përfshirë orkestrën e OSRTSH përveç strapacimit në festival, ku si gjithmonë trajtohen me minimumin e dinjitetit artistik! Asnjë spektakël serioz! Asnjë prodhim i pavarur me fondin e dedikuar FPP (ku kanë shkuar paratë e këtij fondi?). Asnjë patentë origjinale, përveç një emisioni shekullor mbi shëndetin që nuk duhet lejuar të transmetohet as tek TV Peqini.
Paraditja është një laramani ëndrrash të këqija, që fillon me “Lamtumirë Shqipëri”, vijon me “Mankthe shqiptare”, kafe ekspres në mes për të metabolizuar këto më lart (me një prezantues aspak metabolik), pastaj vjen qershia mbi tortë, programi më i preferuar i gjithë shqiptarëve “Gjurmë në kaltërsi”, një emision aluçinant i pasdites që në fokus ka si të flasim përçart me të ftuarit e çfarëdolloj moshe, ngjyre, gjinie, intelekti. Këtë e kam më së shumti përzemër, pasi këtu ndodhin shumë të papritura që nuk i gjen as në emisionet më të famshme me surpriza.
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një “spektakël” që i dedikohet muzikës dhe nostalgjisë. Fokus-grupi: mbi 70 vjeç. Është “konceptuar” për prime, në pikun e shikueshmërisë. Është një fuzion mes “Koha në pentagramin tim” dhe “Njerëz të humbur”. Prezantuesja, një figurë melankolike, pak e njohur për publikun e gjerë, një personazh kitsch, gjendet në një studio po aq kitsch, të errët (nuk e di për cilën arsye, ndoshta ngaqë titulli ka brenda fjalën “natë”), me disa karrige që ngjajnë si karrige elektrike, ku të ftuarit ulen për të marrë dënimin e fundit. Emisioni muzikor ka një titull për të cilin nuk dihet nëse kanë marrë leje nga Nard Bombaj për autorësinë, por di të them që zgjat vërtet sa një jetë.
E diela vjen ndryshe, por edhe njësoj, varet nga çfarë këndvështrimi e sheh. Nëse je në lokal dhe TV nuk ka audio, ngjyrat janë OK.
Për mbushje ka gjithmonë muzikë nga të gjitha trevat dhe ca emisione që bëhen për hobi nga disa drejtues e skenaristë outlet, që Alfredi i ka gjetur me siguri në udhëtimet e tij të shpeshta nëpër Shqipëri kur kandidonte për deputet.
Për kanalet e tjera të platformës duhen disa netë dimri polar, por do i trajtojmë në episodet në vijim të “Dinastisë”. - Burimet Njerëzore menaxhohen nga një Krye-Bareshë që ngre komision pas komisioni për të fshikulluar fajtorët që dalin pa leje për të blerë ujë, apo që marrin sufllaqen e porositur tek dera e RTSH-së. Edhe këtë sektor Alfredi e ka perfeksionuar në nivele apokaliptike. Aq shumë komisione ka kaluar ky sektor saqë Bareshës do i jetë përzier nga hyrjet e daljet e panumërta ditore në dhomën e dënimeve. Sikur të mos mjaftojnë listëprezencat ditore, hyrja dhe dalja monitorohen edhe me kamerat e sigurisë dhe me kartat elektronike, për ta çuar në maksimum sigurinë në Kampin e Aushvicit. Së shpejti, Fshesa po negocion edhe për shtimin në RTSH të dhomave të gazit, dhoma në të cilat do të dënohen ata që veshin bluza pa stampën e tij si dhe ata që nuk e përshëndetin me përkulje trupore deri në 60°.
- Drejtori i famshëm i sektorit juridik, autor i romaneve thriller dhe horror që ia merrte në kthesë dhe Stephen King-ut, pas suksesit edhe si jurist në një nga drejtoritë më të rëndësishme në RTSH vendosi të largohej. Por kush do të sistemojë një mal me shkresa çudibërëse që zotëria orkestroi bashkë me Liderin Suprem? Askush!
Pas suksesit të mbretit të horrorit u tha se një tjetër drejtor juridik provoi fatin në vendin e tij. Këtë herë çudia zgjati vetëm 4 ditë. Edhe ai shkoi në parajsën e juristëve. Nuk do të vonojë shumë kur vetë Lideri Suprem të vetëflijohet për këtë pozicion dhe të hartojë ai vetë shkresat e profilit juridik, profesion që ai e kryen më së miri, pasi njësoj si mbreti i horrorit edhe ky i ka reshtuar disa romane po aq të frikshme. - Nuk duhet harruar shtimi i hapësirave të gjelbra brenda në RTSH: bar-kafeja e dikurshme e Dinës, një kafe e vogël dhe e paqtë ku uleshin punonjësit, tashmë një snack-bar për punjësit aktualë, ku sigurisht duhet të raportosh për oraret e aksesit me mail. Me çfarë para u rinovua ky ambient? Me leje të kujt? Në emër të kujt figuron në shkresa zyrtare? Kush e menaxhon dhe si? Ku është transparenca për ndërtimin e tij? A ishte edhe kjo pjesë e strategjisë së Fshesës, pasqyruar në platformën e tij konkurruese? Po ç’rëndësi kanë këto! Lideri Suprem do bëjë dhomat e gazit ngjitur me kafenenë që “fajtorët” të jenë të nginjur para se të ndëshkohen.
- E fundit, por jo për nga rëndësia, meqë jemi në kuadër të horrorit: asnjë emision dinjitoz për fëmijë a të rinj! Asnjë investim për blerje serialesh, dublime apo programe radiofonike që vlen për t’u shënuar. Asnjë fushatë të dedikuar për fëmijët me nevoja të veçanta, përveç ca gjërave të shëmtuara gjoja-promovuese tek-tuk, ku tentohet me #mbushçatëmbushësh programin.
Në një fashë që asnjë i ri, nxënës apo student nuk gjendet në shtëpi, RTSH1 ofron një palë buzë të fryra që flasin me të ftuar anonimë për kush u lidh me kë, kush u nda me kë dhe kush foli për kë, në bumin e social-it, ku çdo gossip e gjen online.
Gjithë e gjithë në 1 javë, fëmijët kanë vetëm 1 emision horror, një rrëmujë audiovizive që të kujton emisionet e RTSH- së në kohën kur RTSH-ja ishte pa Zot… si tani!
Sa më sipër, janë vetëm disa nga “arritjet” për të cilat Alfredi premtoi kur kandidoi para murgjve e murgeshave gazmore të Këshillit Drejtues. Por nuk mbaron këtu!
Post scriptum: Vijon me episode të reja…