Strukturat e mbrojtjes civile, së bashku me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, janë aktive në terren për të monitoruar situatën në të gjithë vendin pas reshjeve të shiut të 24 orëve të fundit. Qarku Shkodër evidenton ndikimin më të madh nga këto reshje. Ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe të Forcave të Armatosura kanë qenë të pranishme në bashkinë Vau Dejës, ku situata aktualisht po normalizohet.
Ministria e Mbrojtjes raportoi se niveli i ujit ka pësuar një rënie të dukshme, dhe në disa banesa uji është tërhequr plotësisht. Në zonat ku ka pasur rrezik për banesat nga prurjet e përroit, janë ndërmarrë hapa për devijimin e rrjedhës me ndihmën e eskavatorëve dhe ngritjen e argjinaturave mbrojtëse për të parandaluar dëmet.
Përveç kësaj, në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, po punohet për pastrimin e inerteve në rrugët ku ka ndodhur rënie gurësh, me qëllim garantimin e qarkullimit normal. Nga qarqet e tjera të vendit, deri tani nuk janë raportuar problematika në infrastrukturë apo banesa për shkak të kushtet meteorologjike.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile janë të gatshme dhe vazhdojnë monitorimin e situatës për t’u përgjigjur në rast nevoje. Ky angazhim për mirembajtjen e sigurisë dhe përshpejtimin e rikuperimit në zonat e prekura është në fokus të aktiviteteve të këtyre institucioneve.















