Zbulime të reja nga dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së hedhin dritë mbi një aspekt të panjohur të jetës së ish-financierit Jeffrey Epstein, duke sugjeruar mundësinë e ekzistencës së një fëmije të mbajtur sekret për vite me radhë.
Informacioni i ri vjen nga miliona faqe dokumentesh të deklasifikuara, ku dy email-e të datës 21 shtator 2011 nga Sarah Ferguson, ish-bashkëshortja e Princit Andrew, referohen drejtpërdrejt një djali. Ajo shkruan: “Mësova nga Duka se keni një djalë… mbetem me ju me dashuri, miqësi dhe urime për lindjen e fëmijës suaj.” Këto email-e janë dërguar pas dënimit të Epstein për marrëdhënie seksuale me një të mitur, por asnjëherë nuk është konfirmuar zyrtarisht që ai kishte pasur fëmijë biologjikë.
Pas vdekjes së tij në vitin 2019, më shumë se 100 individë kanë pretenduar se janë fëmijët e tij, duke kërkuar pjesë të trashëgimisë. Dokumentet gjithashtu tregojnë se Ferguson dhe Epstein kishin një komunikim të shpeshtë dhe një raport të afërt, me elemente të ndjeshme të përmendura që janë duke u analizuar nga hetuesit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë ofruar ende një qëndrim zyrtar mbi vërtetësinë e pretendimeve për fëmijën sekret.
Ky publikim ka rihapur debatin mbi marrëdhëniet e Epstein me figura të larta politike dhe mbretërore, si dhe mbi dimensionin ende të paqartë të jetës së tij private. Hetimet pritet të vazhdojnë, ndërsa autoritetet amerikane janë duke verifikuar autentikimin dhe rëndësinë ligjore të këtyre materialeve të reja. E gjithë situata mbetet e tensionuar dhe e pasigurt, duke i dhënë një tjetër dimension skandalit rreth Epstein dhe ndikimit të tij në shoqëri.















