Gati 45 përqind e auditorëve do të jenë bosh, sot në ditën e parë të këtij viti akademik. Të dhënat e verifikuara nga Faktoje.al dëshmojnë se deri të premten, 8,775 mijë kuota nga universitetet publike ishin të lira nga 19,212 të miratuara në total.
Në Portali i Aplikimit Universitar, ku maturantët njihen me kriteret, programet, aplikimin universitar dhe programin ku janë shpallur fitues, rezulton se në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende mijëra kuota të paplotësuar, teksa ishin regjistruar gjithsej 10,437 studentë.
Por në urimin e ndarë për nisjen e vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu duket se i referohet kuotave fillestare kur thotë “Suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit…”, thotë Manastirliu në profilin e saj zyrtar në facebook.
Degët drejt zhdukjes
Shkenca Natyre Mjedisore rezulton dega më pak e pëlqyer në Universitetin e Tiranës, me vetëm 2 studentë të regjistruar këtë vit. Më pas vjen Fizika me 5 studentë të regjistruar dhe Kimia me 8.
“Duhet të kishim një emergjencë kombëtare ndërkohë që radhët e mësuesve pakësohen dhe shkollat kërkojnë mësues për të plotësuar nevojat e tyre. Sidomos fizika, matematika dhe gjuha, apo lëndë të tjera bazike janë të paplotësuara. Me këtë trend parashikohet që vitet e ardhshme disa nga këto degë sipas ligjit do të mbyllen nëse për dy vite nuk plotësohen me të paktën 10 studentë.”, paralajmëron Rigers Xhemollari nga Qendresa Qytetare.
Nga ana tjetër, një nga degët më të preferuara në Universitetin e Tiranës rezulton Informatika Ekonomike, ku vetëm 4 kuota kanë mbetur të lira nga 240 gjithsej.
