LEZHË– Drejtori i ASHK-së Lezhë, Altin Gjergji ka nisur prej ditësh pushimet e tij ndërsa rezulton se ai është ende në punë dhe firmos çdo ditë vendimet në mënyrë elektronike. Në një denoncim të ardhur në redaksinë e Dosja.al bëhet me dije se Gjergji edhe pse ka shkuar me pushime nuk e ka deleguar firmën e tij tek një person tjetër zëvëndësues ashtu siç e kërkon ligji.
Sipas denoncimit Gjergji prej ditësh ndodhet me pushime ndërsa ende firmos çdo aplikim që ndodh në Qarkun Lezhë për Mirditën, Laçin dhe Lezhën. Më tej bëhet me dije se Gjergji në rastet e mëparshme ka deleguar firmën por kësaj here duke qënë se është dhënë urdhër që drejtorët të mos bëjne pushime është larguar duke shijuar verën pa lënë gjurmë dhe duke kryer detyrën pa lënë pas dyshime se ai nuk është në punë. Në denoncim theksohet se Gjergji largohet për pushime por punonjësve të tjerë nuk ua miraton lejet e tyre.
“Altin Gjergji, drejtori i ASHK Lezhë, ka ikur me pushime (nuk dihet brenda apo jashtë vendit), por sipas ligjit kur një drejtues mungon për shkak pushimesh ose raporti mjekësor, duhet të delegojë firmën tek një zëvendës. Në këtë rast, nuk është bërë delegimi. Megjithatë, gjatë mungesës, ai vazhdon të firmosë vendime. Pyetja është: Si mund të firmosësh kur je zyrtarisht me pushime?!” shkruhet në denoncimin e ardhur në redaksinë e Dosja.al.
Sipas denoncimit Gjergji mbahet në punë nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja teksa theksohet se ai shpesh e përmend se është fotografuar me të dhe kryeministrin Edi Rama. Mos është kjo një mënyrë për të treguar para punonjësve se ai ka lidhje të forta dhe se mund të largohet sa here ka dëshirë duke shkelur edhe urdhërat dhe ligjet?















