Faik Basha, një nga mbështetësit e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, ka folur së fundmi për aksionin opozitar si dhe për gjendjen e kryetarit të tij.
I ftuar në “Report Tv”, Basha u ndal fillimisht te protesta e opozitës e zhvilluar dy ditë më parë. Ai pohoi se nuk ishin shumë njerëz në protestën e mosbindjes civile, por kjo edhe prej kushteve atmosferike.
Ndërkohë, sa i përket aksionit të Ilir Metës, ai tha se presidenti i Partisë së Lirisë është në gjendje shumë të mirë dhe po vijon me drejtimin e partisë që nga qelia.
Ndër të tjera, Basha u shpreh se Meta shumë shpejt do të dalë nga burgu dhe në zgjedhjet e 11 majit 2025 do të kandidojë për Kryeministër.
“Gjendja e tij jashtëzakonisht mirë, në formë. Ka mbajtur kontakte me strukturat e partisë. Orienton strukturat dhe aksionin opozitar. Shumë gjasa ka SPAK të tërhiqet nga kjo, të lirohet. E dinë që kanë kryer veprime të jashtëligjshme.
Ligji i përdorur i shfuqizuar vite më parë. Mënyra e organizimit nga kryeministri Rama. Zoti Meta duhet të lirohet. U arrestua pa provë dhe fakt. Ka një diskutim që mund të jetë kandidat për kryeministër. Për sa kohë është presidenti i një force politike opozitare”, tha ai.