Milani ishte shumë pranë nënshkrimit me sulmuesin e Crystal Palace, Mateta, gjatë merkatës së këtij muaji. Sidoqoftë, klubi italian u tërhoq për shkak të një problemi me gju të futbollistit, i cili pritet të nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, shpjegoi dështimin e këtij operacioni në prag të ndeshjes mes Milanit dhe Bolognas, duke theksuar arsyet që çuan në këtë vendim. Ai u shpreh për DAZN se, “Operacioni Mateta kishte të bënte me të ardhmen dhe jo me të tashmen.” Tare vazhdoi duke treguar se, gjatë bisedimeve, panë mundësinë për të sjellë Matetan në Milano më shpejt, dhe klubi u përpoq të realizonte këtë marrëveshje.
Megjithatë, pas kryerjes së vizitave mjekësore, u evidentua problemi fizik i futbollistit, që e detyroi klubin të mos e vazhdonte operacionin. Tare përfundoi duke nënvizuar se duhet të mendohet për të ardhmen në vend të ngutjes për një zgjidhje të menjëhershme.















