Brenda kampit të Belinda Ballukut, një prej figurave më të fuqishme të qeverisë dhe Partisë Socialiste, po zhvillohet një përplasje e heshtur por tejet e fortë, mes dy njerëzve më të besuar të saj në qarkun e Fierit: Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj. Tensioni, që më parë lëvizte në prapaskenë, ka dalë tashmë hapur në sipërfaqe, duke u materializuar në lëvizje konkrete dhe spastrim institucional.
Burime të shumta nga brenda Partisë Socialiste flasin për një konflikt të ndezur që lindi pas procesit të fundit zgjedhor në qarkun e Fierit, ku Klevis Jahaj dyshohet se ka manipuluar votat dhe ka “djegur” bazën elektorale të Ceno Klosit, duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të tij brenda strukturave të PS-së.
Ky akt, përtej pasojave elektorale, është lexuar si një sfidë direkte ndaj kontrollit të Klosit, i cili për vite është konsideruar si një nga administratorët më të afërt të interesave të Ballukut në terren. Manipulimi i votave, si akt i hapur force, shënoi edhe fundin e një bashkëpunimi të gjatë mes dy individëve që më parë punonin në sinkron për të kontrolluar institucionet dhe burimet e pushtetit lokal.
Në lëvizjen e tij të parë strategjike, Ceno Klosi ka vendosur një nën-drejtore të re në degën rajonale të AKUM, një grua e njohur si njeri i tij besnik, me qëllimin e qartë për të rimarrë kontrollin institucional. Kjo nuk është vetëm një lëvizje administrative – por një sinjal politik. AKUM, një institucion me ndikim të drejtpërdrejtë mbi fondet për investime publike dhe punësime në zonë, është kthyer në bastionin ku po matet forca reale e palëve.
Menjëherë pas këtij emërimi, të gjithë njerëzit e afërt të Kledis Jahajt në këtë institucion kanë dhënë dorëheqjen, një akt që mund të lexohet si protestë, por edhe si pranimi i humbjes në këtë etapë të betejës. Dorëheqjet nuk janë vetëm teknike – ato sinjalizojnë shkëputjen përfundimtare të besimit mes dy kampeve dhe paralajmërojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës politike në Fier.
Në këtë rast, AKUM është më shumë sesa një institucion publik – është simboli i kontrollit mbi burimet. Kush kontrollon AKUM-in, kontrollon edhe zinxhirin e financimeve, emërimeve dhe ndërhyrjeve në terren. Ndaj vendosja e njeriut të Klosit në krye është një dokumentim real i zhvendosjes së pushtetit lokal.
Në këtë kontekst, dorëheqjet nga pala e Jahajt nuk janë një rastësi apo “konflikt i brendshëm administrativ”, por një akt politik i detyruar, pas humbjes së pozicioneve kyçe.
Balluku në heshtje – por për sa kohë?
Interesant është fakti që, pavarësisht këtij konflikti të hapur, Belinda Balluku ka zgjedhur të mos ndërhyjë, të paktën jo publikisht. Kjo heshtje mund të jetë një strategji: ajo ndoshta po pret që palët të vetëshpërbëhen, në mënyrë që të forcojë kontrollin e saj përmes balancave të reja, apo të mbështesë përfundimisht njërin kamp në momentin kur forcat të jenë më të qarta.
Në të dyja rastet, ky zhvillim është një sinjal i qartë i përçarjes së brendshme në rrjetin politik të ndërtuar nga Balluku në jug, dhe paralajmëron shkëputjen e fijeve të kontrollit të centralizuar, në një moment ku zgjedhjet e ardhshme kërkojnë një strukturë të bashkuar dhe efikase në terren.
 
			 
                                 
			
 
                                 
                                
 
							












