Gjithë vëmendja është e përqendruar në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që po zhvillohen në Pakistan, me qëllim përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se negociatat po drejtohen nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, dhe shefi i ushtrisë, Asim Munir, ndërsa një grup ekspertësh amerikanë është i pranishëm në Islamabad.
Delegacioni amerikan përfshin zëvendëspresidentin JD Vance dhe Jared Kushner, ndërsa iranianët udhëhiqen nga kreu i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf. Po ashtu, në bisedime merr pjesë një delegacion nga Kina. Mediat raportojnë për përparim në bisedime, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të hapet së shpejti. Komanda Qendrore e SHBA-së ka filluar pastrimin e minave në këtë ngushticë për të siguruar lirinë e lundrimit.
Irani ka paraqitur katër kushte të panegociueshme për armëpushimin, përfshirë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe lirimin e aseteve të ngrira. Sipas mediave, SHBA deri tani i ka refuzuar këto kërkesa. Këto bisedime përfaqësojnë nivelin më të lartë të negociatave mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe janë të para që nga anulimi i marrëveshjes bërthamore në vitin 2018.
Bisedimet kanë përfshirë shkëmbim dokumentesh mbi çështjet kryesore dhe janë përshkruar si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve. Në këtë kontekst, SHBA ka rënë dakord të zhbllokojë disa fonde iraniane të ngrira, një veprim që shihet si shenjë serioziteti nga Uashingtoni.
Delegacionet e SHBA dhe Iranit kanë mbërritur në Islamabad për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin, me shpresën se negociatat do të çojnë në një ulje të tensioneve dhe stabilizimin e çmimeve të naftës.















