Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku po merret në pyetje.
Ende nuk dihet se pse ministrja është thirrur në SPAK, ndërkohë që vartës të saj të rëndësishëm ose janë në burg ose janë nën hetim për abuzimet me tenderat dhe fondet publike.
Dosja e nxehtë pse Balluku që Balluku po pyetet në SPAK!
Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për rrugën Korçë-Ersekë, e cila disa ditë më parë u bë temë diskutimi, si pasojë e një shembjeje masive në një pjesë të saj, duke e bërë të pakalueshme.
Ky hetim, nga sa mësohet, nis pas një kallëzimi të tre viteve më parë nga inxhinieri Romeo Nazarko, i cili ka kallëzuar ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherë zëvendëskryeministre e vendit, Belinda Balluku, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe kompaninë e kontraktuar për ndërtimin e kësaj rruge.
Nazarko vetë, ka bërë me dije se hetimi i SPAK po shtrihet si në rrafshin e shpërdorimit të detyrës, ashtu edhe në atë të shkeljes së barazisë në tenderë.
Ai pretendon në kallëzim se është ndryshuar gjurma e rrugës, është fryrë kostoja nga 1 milion euro në 5 milionë euro kilometri, si dhe ka ndikuar në shpopullimin e zonës.
Më herët, edhe Partia Demokratike ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK hetimin e segmentit rrugor Korçë-Ersekë, pas shembjes së këtij të fundit në një pjesë.
Përmes një komunikate për media, drejtuesja e departamentit antikorrupsion në PD, Marinela Ziu, ka thënë se abuzomi me fondet po rrezikon jetën e qytetarëve, duke apeluar SPAK-un të hetojë.
Shembja e rrugës Korçë – Ersekë ishte paralajmëruar prej kohësh sipas saj, por asnjë organ shtetëror nuk mori mundimin të vepronte për të parandaluar jo vetëm rrënimin e saj, por madje edhe ndonjë fatkeqsi njerëzore, duke qene një nga rrugët më qarkullim të lartë në zonën jug – lindore.
“Përfundimi i kësaj rruge është premtuar nga vitit 2013, premtim që është ricikluar prej 10 vitesh, e megjithëse gllabëron miliona euro, jo vetëm që nuk përfundon por së fundmi edhe kjo rrugë ‘doli nga rruga’ për shkak të cilësisë shumë të dobët të punimeve nga babëzia për të vjedhur, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, vijon ajo më tej.
Ziu po ashtu shton se rruga është denoncuar që prej vitit 2020 nga PD-ja, për shkak të klientelizmit, vlerës së tejfryrë, përfitimit të saj në kufij 100% të fondit limit, por edhe zvarritjes së përfundimit të saj.
Një padi zyrtare është ngritur në SPAK ndërkaq në lidhje me shembjen e rrugës Korçë-Ersekë, ku avokati Esmerald Xhafa, ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme një padi kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bashkisë Kolonjë dhe kompanisë së kontraktuar për punimet.
Siç mësohet, organet janë paditur për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në depozitimin që ka kryer, avokati Xhafa ka bashkëngjitur me akuzën edhe pamje filmike, ku ai pretendon se fakton punimet me cilësi të dobët dhe ndërtimin, i cili është bërë ndryshe nga projekti.
Media raportoi më 17 shkurt se një pjesë e rrugës së re Korçë-Ersekë është shembur, ku segmenti me gjatësi 35 kilometra jo vetëm që nuk ka parë një inaugurim të tijin brenda afateve, por po shfaq edhe problematika të mëdha.
Sipas projektit, ndërtimi i këtij aksi duhet të kishte përfunduar qershorin e vitit 2023.
Megjithatë, aksi mbetet i papërfunduar dhe tashmë edhe i shembur në një pjesë të tijën, duke e bërë praktikisht të pakalueshëm.

Dëmtimi i madh i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.
Siç ka mësuar Albanian Post, fillimisht kishte pasur krisje në këtë pjesë të rrugës dhe më pas është ndërhyrë duke bërë mbushje të vogla.
Mirëpo këto nuk kanë zgjidhur asgjë dhe tashmë thuajse e gjithë karrexhata është përpirë dhe ka krijuar një greminë në atë vend ku kishte krisje.

Kostot për ndërtimin e kësaj rruge deri tani kanë qenë në vlerën e 60 milionë eurove, ku parashikohej ndërtimi i një segmenti të kategorisë C, me një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens kalimi, e gjatë 35 kilometra dhe e gjetë 8.5 metra.
Punimet fillestare kanë nisur që prej qershorit 2013, ku tenderi për lotin e parë u fitua nga kompania A.N.K. me një ofertë prej rreth 17 milion euro.
Pas disa vitesh zvarritje kompania nuk i realizoi dot punimet dhe në 2017 u hap një tjetër tender prej 4 milionë eurosh, për punime shtesë, që u fitua po nga A.N.K.
Edhe tenderi i vitit 2020 për pjesën e parë të lotin 2 u fitua po nga A.N.K.
Në këtë pikë, vetëm për 4 kilometra rrugë të gjerë maksimumi 8,5 metra u shpenzuan 20 milionë euro.