VLORË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zbatimin e urdhërit të dhënë nga vetë ai, për dorëheqjen e drejtorëve në Bashkinë Vlorë. Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se Bashkia e Vlorës do jetë institucion, i cili do të shërbejë për qytetarët. Ndërkohë që shtoi se drejtuesit që kanë dhënë dorëheqjen mund tu jepet mundësia sërish të provojnë veten në një moment të dytë.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Nuk do të këtë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmoj të gjitha dorëheqjet dhe kështu do të ndodh me të gjitha institucionet vendore e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që Bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë. I ftoj të rinj dhe te reja të Vlorës të aplikojmë dhe ne do te jemi krah tyre. Një ristrukturin edhe ne PS te Vlorës me Klevisi Kason dhe Erjona Ismailin. Një parti që do të jetë e hapur për të gjithë dhe për të sjellë prurje të reja,” tha Rama.