Dëshmia e Luftar Reçit për vrasjen e Vajdin Lamajt ka shërbyer që Gjykata e Posaçme të kërkojë ndihmë nga Mali i Zi.
Përmes një letërporosie është kërkuar marrja në pyetje e shtetasit Joshko Çervenkovski, personi që sipas Reçit ka përgatitur bombën me të cilën u vra biznesmeni në vitin 2005. Vendimi është bërë i ditur në seancën e kësaj të hëne kur nën akuzë është e ashtuquajtura banda e Durrësit.
Para togave të zeza u paraqitën 5 dëshmitarë, për të folur mbi atentatin që iu bë Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur vetëm një ditë para vrasjes së Lamajt, për të cilën akuzohet i njëjti grupim.
Pjesë e dëshmisë u bë edhe motra e Lulzim Berishës e tregoi mbi aktivitetin e vëllait të saj dhe rrethanave të ditës kur ndodhi ngjarja.
Edhe një herë ajo është shprehur se i vëllai në dy datat kur kanë ndodhur ngjarjet ishte në Turqi për kurim së bashku me një shokun e tij./OraNews