Koment nga Timoni.al
Gjergj Luca, një emër i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe grabitjen e pronave shtetërore, shfaqet sot si fytyra e re e aleancës mes krimit dhe politikës. Ai del hapur në mbështetje të kandidatit të PS në Librazhd, Agron Gaxho, një tjetër figurë e përfolur për korrupsion, së bashku me drejtoreshën e spitalit Fatbardha Qatja, që njihet për afera të shumta. Kjo tablo e trishtë përfaqëson gjithçka që ka shkuar keq me shtetin shqiptar – ku të inkriminuarit nuk fshihen më, por dalin në fushatë dhe ndikojnë votën si “biznesmenë të suksesshëm”.
Gjergj Luca, me një të shkuar të errët të dokumentuar në raportet e Policisë së Shtetit, nuk është më thjesht një njeri që fsheh krimin pas moralit të rremë që shfaq në video; ai është simboli i kapjes së shtetit nga njerëz që veprojnë si mafie. Dosjet e policisë dhe raportet zyrtare e përshkruajnë Lucën si bashkëpunëtor të Pëllumb Gjokës në rrjetin e trafikut të drogës që ka shtrirë aktivitetin deri në Afganistan e Holandë. Në të njëjtën kohë, ai kontrollon lagunat e vendit, me njerëz të armatosur që dhunojnë peshkatarë të vegjël dhe pengojnë lirinë ekonomike të qytetarëve të ndershëm.
Por pjesa më e rrezikshme është tjetër: Luca jo vetëm që nuk ndëshkohet, por shndërrohet në mbështetës publik të një kandidati politik, duke treguar se lidhja mes pushtetit dhe krimit nuk është më thjesht nën tavolinë – është në skenë, në qendër të fushatës. Dhe kjo nuk është thjesht çështje morali, por siguri kombëtare dhe funksionim i shtetit ligjor. Si mundet që një person i referuar për trafik ndërkombëtar droge, grabitje tokash dhe kërcënim ndaj punonjësve të policisë të jetë i lirë dhe të ndikojë politikën?
Kur drejtësia nuk vepron, krimi ngrihet në pushtet. SPAK duhet të veprojë pa vonesë, pasi heshtja ndaj këtij rasti është një akt bashkëfajësie. Po ashtu qytetarët kanë detyrimin të refuzojnë këtë model të kalbur ku politika dhe krimi bëjnë pazare mbi kurrizin e tyre. Është koha të ndalet normalizimi i krimit dhe të kërkohet një drejtësi që nuk fal, por ndëshkon, një shtet që nuk përkulet para trafikantëve, por i nxjerr para ligjit – kudo që të jenë, me cilindo që të bëjnë fushatë.
Është një skenë që do t’i turpëronte edhe demokracitë më të brishta: një trafikant droge si Gjergj Luca, i dokumentuar në raportet konfidenciale të Policisë së Shtetit për lidhje me bandat e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, del publikisht në krah të kandidatit të Partisë Socialiste në Librazhd, Agron Gaxho, një tjetër emër i përfolur për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Bashkë me drejtoreshën e spitalit, Bardhen – e njohur për afera të shumta korruptive – kjo treshe simbolizon pikërisht atë aleancë të sëmurë mes krimit, korrupsionit dhe pushtetit që ka helmuar shpresat e qytetarëve për një shtet normal.
Nuk mjaftojnë më as videot patetike të Gjergj Lucës ku flet për punë të ndershme dhe moral; faktet flasin vetë. Nga Lezha në Tiranë, emri i tij lidhet me trafik droge, zaptim tokash publike, kërcënime ndaj policëve dhe kontroll mbi lagunat e Shqipërisë. Dosja me numër protokolli të Drejtorisë së Policisë është një aktakuzë e hapur që pritet të shkojë në SPAK. Por për çudi, Luca nuk është në bankën e të akuzuarve – ai është në fushatë, promovon kandidatë, ndikon votën dhe tallet me drejtësinë.
Kjo është fytyra e vërtetë e aleancës së rilindjes: trafikantët e drogës që sponsorizojnë politikën, të korruptuarit që kërkojnë pushtet, dhe një sistem që nuk ndëshkon, por shpërblen krimin. Çfarë presin organet ligjzbatuese për të vepruar? A do të lejojë SPAK që figura si Gjergj Luca të kthehen në “mbrojtës” të politikës në vend që të përballen me drejtësinë?
Shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë. Koha për drejtësi ka ardhur. Heshtja është bashkëfajësi.
Kush është kandidati i korruptuar i PS Agron Gaxho?!
Rama ka konfirmuar kandidat për deputet në Elbasan kreun e Spitalit të Elbasanit, Agron Gaxho, simbol i abuzimit me pushtetin në Elbasan. Bazuar në disa evidenca dhe rrethana, kandidatura e Agron Gaxhos është një fyerje që Rama i bën Elbasanit.
Agron Gaxho, ish drejtor pyjesh i Fatmir Mediut, ku ky i fundit ishte ministër i Mjedisit, ka përvetësuar pasuri publike në Elbasan duke i kthyer në biznese private. Vëllai i Agron Gaxhos, Nik Gaxho, një personazh me të shkuar të errët jashtë vendit, është drejtor i ndërmarrjeve të falimentuara të shtetit në Elbasan. Disa nga ndërmarrjet ushtarake dhe civile janë grabitur nga Agron Gaxho, përmes familjarëve të tij, duke ua dhënë me qira disa sipërmarrësve italianë.
Bar-kafe IME, restorant, lavanderi etj., pra një kompleks binesesh në Elbasan, janë pasuri e drejtorit Agron Gaxho, i cili ka tjetërsuar pasuritë publike si dhe ka investuar para të dyshimta, duke i kthyer në biznes familjar. Gjithashtu, Agron Gaxho fshihet edhe pas një hidrocentrali në Gjinar të Elbasanit dhe pasurive të tjera me vlerë qindra mijëra euro.
Ndërkaq, Agron Gaxho është një nga linjat e korrupsionit me tendera të Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës. Në prag të festave të fundvitit, më 30 dhjetor 2022, kreu i spitalit rajonal “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit, Agron Gaxho, rinovoi për të tretin vit radhazi me Olta Sharrën kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët e spitalit të tij. Olta Sharra është bashkëshortja e Gentian Sharrës. Në kohën kur Agron Gaxho i rinovoi kontratën, subjekti “Olta Sharra” ndodhej prej gjashtë muajsh nën sekuestro nga SPAK si një derivat i dyshuar i burimeve kriminale.
Gjatë viteve 2023-2024, kohë gjatë të cilës Gentian Sharra qëndronte në burg, ka marrë qindra mijëra euro para publike, përmes bashkëshortes Olta Sharra, nga Spitali i Elbasanit dhe Spitali Psikiatrik i Elbasanit. Gentian Sharra është dënuar më parë për trafik droge, ndërsa rezulton pjesë e bandës së Talo Çelës në disa grabitje me dhunë gjatë 10 viteve të fundit.
Agron Gaxho është lidhje e ngushtë e Eral Myftarajt, simbolit të korrupsionit me tendera në Qarkun e Elbasanit, mashtrimit me zbatimin e kontratave dhe dokumenteve false. Rreth 9 milionë euro tendera që Eral Myftaraj ka marrë nga spitalet e Elbasanit, bashkë me Nazif Bajramin, i skeduar për trafik kokaine në Zvicës, dyshohet se i ka marrë me ndihmën e Agron Gaxhos. Një pjesë e parave besohet se kanë përfunduar në xhepat e disa deputetëve të PS, të cilët qëndrojnë pas Eral Myftarajt, i cili ka blerë edhe një jaht me paratë e korrupsionit me tendera.