TIRANA- Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë publike përmes rrjeteve sociale një letër publike drejtuar ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt. Meta i përshkruan në hyrje të letrës drejtuar Ahmetajt, arrestimin e tij të cilin e konsideron si rrëmbim. Ai ka treguar një pjesë të dialogut që u bë në atë moment sipas tij me personat që e shoqëruan. Meta shton se ata kishin vetëm maska të zeza e as numra identifikimi e asgjë tjetër.
Meta shton se kur ata hynë me automatikë të rëndë nga para e mbrapa ishte momenti se “kush të ulërinte më shumë”. Ai thotë se pas më shumë se dy orësh i erdhi fletë-arresti në Polici. Gjithashtu Meta ka rrëfyer në letrën e hapur për Ahmetajn edhe momentet në qeli, përditshmërinë e tij dhe gjithçka që shprehet se nuk ka shkuar siç duhet.
“Shkoj unë te Edukimi dhe u them: “Pse mua nuk më punon pini?” Sa keq e kam ndjerë veten i dashur Beni, se një “black out” total i sinjalit për të gjithë, për tërë ditën. Mirë konferenca na iku, po morëm në qafë edhe shumë të tjerë i dashur që nuk floën me familjet e tyre. Ndërkohë kanë 2 ditë më kanë bllokuar lidhjen në telefon me Tedi Blushin që është i vetmi i Partisë së Lirisë i regjistruar se të tjerët janë familjarët dhe avokatët.
Po ka edhe më keq i dashur! E pe çfarë i bënë kolegut të tyre, Erionit? I futën edhe celularët dhe e përgjonin njëkohësisht. Shokë ideali, s’ke ç’tu thuash! Të kam paragjykuar kur mora vesh që u le fletë-arrestin në dorë dhe mendova kushedi ç’ka bërë tigri? Por kur pashë që donin të të bënin kokë turku për inceneratorin të mirëkuptova”, shkruan Meta.
Në përfundim Meta i thotë Ahmetajt se në shkurt u bind që donin ta arrestonin për ato që s’kishte pranuar të firmoste e jo për pllakat dhe lavamanët e “padeklaruara”. Gjithashtu ai i rikujton disa fjalë nga një takim i tyre.
“E mban mend takimin e fundit kur erdhe 5 minuta të merrje Dekretin si Ministër për Rindërtimin dhe Pandeminë? Kur më thoshe: “Po ti s’e ke idenë sa të do ai, etj. etj.” Ndërkohë ti e dijë ndërkohë që ty të donte edhe më shumë se unë ndaj ua kishe deleguar firmat e tenderave të tjerëve që atëherë”, shkruan ai.
POSTIMI:
Letër e hapur drejtuar z. Arben Ahmetaj!
I dashur Beni!
Uroj të jesh sa më mirë andej nga Zvicra dhe fëmijët e familjarët t’i kesh sa më mirë në këto kohë interesante që po jetojmë! Të falat e fundit t’i kam përcjellë përmes Flamurit, mikut tim të vjetër socialist që e takova rastësisht në Tushemisht disa javë para rrëmbimit tim, siç vetë e ke parë dhe të falenderoj për qëndrimin që ke mbajtur për këtë çështje te Z. Çim Peka. Por ajo që ke parë t’i i dashur është një episod fare i shkurtër se ata kapuçonët maskëzinj e kishin bllokuar trafikun nja 200 metra para makinës time.
Nuk po kuptonim ç’po ndodhte i dashur! Janë banditë që po përpiqen të rrëmbejnë ndonjë oligark në mes të ditës apo forca speciale që po kërkonin shefin e madh të Sinaloas apo Ndranghetas? E kështu i dashur kaluan 15 minuta duke parë me çudi se çfarë do ndodhte. Nuk lanë makinë para nesh pa hapur dyer e bagazhe e bërë sikur kontrollonin me automatikë të rëndë këta kapuçonët maskëzinj. Kur ia mbërrijnë te makina ime. Unë isha ulur në vend të parë ku rri zakonisht shoqëruesit dhe shofer kisha një punonjës të Partisë së Lirisë. Po kthehesha nga Prevalla dhe shoqëruesin dhe shoferin e Gardës e kisha lënë të rrinin me familjet e tyre për fundjavë. Kur shoh unë kapuçonët e zinj me automatikë drejt meje e duke ulëritur si të droguar: “Kriminel hajde me ne se jemi Policia”.
Epo thashë unë ngaqë këta kanë futur plot mallistë në polici dhe unë isha me bluzën e “Celtic FC” veshur dhe në vend të parë mos po u ngjaja me ndonjë kriminel dhe nuk e dinë se kush jam.
“Jam Ilir Meta u thashë, ish-President i Republikës dhe ruhem nga Garda e Republikës”.
“Ti je kriminel, – thanë kapuçonët e zinj, – e do vish me ne te Policia se je i arrestuar”.
“Shumë mirë, – u thashë unë, – ku e keni urdhër-arrestin?”
“Çfarë urdhër-arresti do ti bandit”, – thanë ata.
“Po ju kush jeni ju?”, – them unë.
“Pse ty do të japim llogari?”, – ulëritën ata.
Vetëm kapuçonë të zinj Beni, maska të zeza e as numra identifikimi e asgjë tjetër. M’u kujtuan brigadat terroriste që rrëmbyen Aldo Moron se e kam parë edhe vendin atje në mes të Romës. Edhe ata me uniforma policie e rrëmbyen.
“Qëndro edhe pak”, – thashë me vete, – “sa të vijë Policia”, dhe vendosa duart në sedilje për rezistencë paqësore.
Kur ata hynë me automatikë të rëndë nga para e mbrapa e kush të ulërinte më shumë, siç e ke parë. Pastaj më futën në një makinë me targa private. Epo thashë me vete më rrëmbeu banda e inceneratorëve ndaj nuk u duk edhe Policia. Kur “fatmirësisht” mbërrij te Policia e Tiranës. “Epo gjysma e së keqes”, – thashë, “se tani do sqarohet çdo keqkuptim”.
Më futën në një zyrë ku takova nja dy policë dhe u them: “Ore, mos më kanë ngatërruar ata djemtë?”
“Jo, jo, – thanë, – ata për ju kanë urdhër-arrest nga vet Altin Dumani”.
“Po e kanë urdhrin?, – u them, – se ata jo urdhër që s’më treguan por as nuk u prezantuan dhe identifikuan”.
“Ja, – thanë ata, – se do vijë shef Tonini të të sqarojë”.
E që thua ti, pas nja 10 minutash vjen shef Tonini, i cili u soll shumë mirë të them të drejtën, si atëherë kur isha Kryeministër.
“Do një kafe, – më tha plotë mirësjellje mbase edhe me merakun për të mbledhur veten.
“Jo, jo, – i thashë unë, – se pas orës 12:00 nuk pi kafe”.
“Po mirë, – më tha, – pimë nga një cigare”.
“Patjetër, – i them unë, – po ajo fleta e arrestit ku është?”
“Besoj, – tha, – se nuk do vonohen shumë ata të Policisë Gjyqësore dhe BKH se ata e kanë ne nuk dinim gjë”.
Ndërkohë mbërriti edhe avokat Gjokutaj i lajmëruar nga mediat. “Ku është fletë-arresti?”, – pyeti edhe avokati.
“Ja, do presim edhe ca, – thanë ata, – se nuk do vonojmë shumë”.
E që të mos të lodh më tej se boll u lodhe dhe ti duke dëgjuar këto sukseset me hapjet e kapitujve me BE-në, pas më shumë se dy orësh na erdhi fletë-arresti në Polici.
“Epo faleminderit, – thamë, – gjysma e të keqes se Policia jonë na arrestoi në fund të fundit”.
Filloi një jetë e re shumë interesante. Në bllokun e sigurisë më thanë: “ka ardhur avokati të të takojë”.
“Ç’ne Genci?, – thashë unë, se ne ishim ndarë për atë ditë. “Mbase ka ndonjë haber”, – thashë. Por ishte një avokat tjetër i pakërkuar nga unë, dashamirës, e më solli letrën e një të afërmit tim.
Pak a shumë teksti ishte: “Mbahu i fortë se do kalojë dhe kemi folur me Hulusiun që të shkosh te Spitali i Burgut që sot”.
“Po kjo çudi?”, – thashë me vete. Edhe mbahu i fortë edhe shko që sot te Spitali i Burgut sikur nuk shkojnë të dyja bashkë. Mata tensionin, 7-11. E falenderova letërprurësin dhe i dhashë një pusullë për letërdërguesin. Pas dy ditësh, u bëra banor i 313-ës i dashur! Kur hyra dëgjoja plot thirrje “Rama Ik”. Kështu që nisi mbarë. Sa u ambientova unë filluan të më thonë, shiko se këtu janë kushtet e vështira ndaj po deshe shko në Fier ose në Durrës ose ku të duash.
“Mua, – u them, – kushtet më duken fantastike po inshallah ka palestër”.
“Ah jo, – thanë, – andej ka palestra, këtu ju”.
“Po çfarë ka këtu?, – i pyes unë.
“Vetëm ping-pong dhe volejboll”.
“Mrekulli, – u them unë, se ti e di që unë 8-vjeçaren e kam bërë te “Fan Noli” dhe ne të gjithë mësuesit e fizkulturës i kishin volejbollistët e Dinamos që nga Nard Tase i famshëm e Beriolli e në fundin e tij e mbaj mend edhe legjendën, Asllan Rusi.
“Shumë mirë, – thanë, – por duhet të bësh kërkesë me shkim te edukimi”. Bëra kërkesat unë e fatmirësisht ping-pongu u miratua ndërsa volejbolli jo. “Po pse?, – u them unë. “Është porosi nga lart për arsye sigurine”, – thanë.
Epo gjysma e së keqes thashë, të paktën kam ping-pongun që në orën 08:00 të mëngjesit. Por për arsye “sigurie” vetëm 3-4 shqiptarë mund të luanin me mua, të tjerët ishin nigerianë, italianë dhe nga Bregu i Fildishtë.
E di ti i dashur Beni, që ma hoqën edhe ping-pongun? Më thërrasin para tre javësh para një komisioni tepër të gjerë dhe serioz. “A ka mundësi, – më thanë, – të firmosësh këtu që je prezent?”. “Patjetër, – u them, – përderisa jam present”.
“Dëgjo, – tha kryesori, – para dy netësh ka ndodhur një ngjarje e rëndë”. “Ndonjë akt terrorist?”, – i pyes unë.
“Në orën 20:20 ju keni dalë nga infermieria për të shkuar në dhomën tuaj”.
“Po, – i them unë, – e saktë, se matim tensionin dhe ai nuk na lëviz gjithmonë 7-11.”
“Po flas seriozisht!”, – më tha mua. “Edhe unë seriozisht ju fola se sa herë na e masin tensionin edhe e shënojnë”, – i them unë.
“Jo, jo, – tha, – para se të hyje në dhomë (pra qeli), ke shkelur rëndë rregulloren e burgut se ke folur në telefon”.
“Po unë me telefonin e burgut fola”, – i thashë.
“Po, – tha, – por nuk lejohet të flitet pas orës 20:00”. “E di, – i them, – por ngaqë flasin të tjerët mua gjithmonë më kanë lënë në fund dhe unë kam folur edhe pas orës 20:00. Mos jeni shqetësuar, – i pyes, – pse iu përgjigja pyetjeve të gazetares Beti Njuma përmes telefonit të Tedi Blushit që është i regjistruar”.
“Jo, jo, – thanë, – nuk ka lidhje me intervistën por është shkelje e rëndë të flasësh pas orës 20:00”.
“Po dakord, – u them unë, – tani që e mësova nuk do e përsëris më. Por ju lutem vini një njoftim në krah të telefonit, që ta shohin të gjithë”.
“Pra ti e pranon këtë shkelje?”, – thanë. “Po, – u them, – e pranoj”. Panë njëri-tjetrin në sy dhe pastaj njëri kumtoi plot solemnitet: “Komisioni njëzëri vendosi t’ju ndalojë ushtrimet e përbashkëta fizike”.
“Po unë volejbollin të ndaluar e kam”, – u them. “Jo, jo, ping-pongun”, – thanë ata. “Dakord!”, – u them unë dhe iki.
Më e bukura Beni ishte ditën tjetër në mëngjes. Troket qelia dhe shoh juristin e burgut. Në dorë mbante disa letra. Epo thashë unë do ketë ndonjë letër nga SPAK-u ky. Kur ai ma zgjat e më thotë: “Të lutem njihu me vendimin e shkruar që mori Komisioni dje”. “Po ç’më duhet vendimi, – i them, – unë e kam të qartë që 10 ditë nuk do luaj ping-pong”.
“Por ti ke të drejtë të bësh ankesë, – më tha, – për këtë vendim nëse nuk je dakord Brenda 15 ditëve”.
E kupton i dashur Beni sa zemërgjerë janë?
Të japin kohë të ankohesh edhe pasi ta kesh kryer dënimin.
“Jo, jo, – i thashë, – faleminderit. Vendimi ishte i drejtë dhe shkelja shumë e rëndë ndaj nuk do ankohem”.
Më e bukura Beni, më erdhën dje paradite e më thanë: “Po pati mundësi, bëhu gati se po të pret Komisioni”. “Cili Komision?”, – pyes unë. “Komisioni Disiplinor”, – tha zotëria.
Mos më kanë ngatërruar thashë unë me vete se unë ndonjë shkelje të rëndë nuk kam bërë. Kur shkoj unë përsëri i njëjti Komision hijerëndë.
“A mund të firmosësh këtu që je prezent?” “Prit, – u thashë, – ta lexoj me kujdes këtë shkresën se nuk i hedh kollaj unë firmat”.
Aty lexova edhe një pikë, që nëse nuk do vetë, çështjen e ndjek avokati. E firmosa unë.
“Dëgjo, – më thotë njëri, – ka ndodhur një shkelje e rëndë”. “Prapë?”, – i pyes unë, – Po unë nuk kam folur më pas orës 20:00”. “Jo, jo, – thanë, – por për të dhënë intervista me gazetarë duhet marrë leje e posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”.
“Po unë fola me avokatin tim, Z. Cakrani, ai qëlloi në studio dhe gazetarja bëri disa pyetje dhe unë iu përgjigja. Liria e shprehjes është në Kushtetutë.”, – ju thashë.
“Ashtu është, – thanë ata, – ka Kushtetutë, por ka edhe një rregullore”.
“Rregullore që na ndalon fjalën e lirë? Pastaj unë, doni apo nuk doni ju, Hulusiun dhe ma nalt, unë jam Kryetar Partie dhe fjalën nuk ma heq dot njeri. Por, – u thashë, – do lë avokatin tim të merret me këtë çështje se ai e di edhe Kushtetutën edhe ligjin edhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.
Largohem unë i dashur Beni e bëhesha gati të takoja motrën me tre fëmijët pas 3 javësh se dy javë rresht pas intervistës te Beti Njuma, nuk i linin të takoheshin kur çdo i paraburgosur e ka të garantuar një takim në javë me familjen.
Më kishte marrë malli për të katër, por sidomos për motrën e cila kujdeset edhe për të dy prindërit e sëmurë që nuk i kam parë prej 9 muajsh.
Kur hyj unë te dhoma e takimit ishin tre e jo katër. Mungonte Besari, djali. “Po Besi, – u them unë, – ku është apo nuk e ka marrë malli?”
“Besi është përjashta”, – thanë. “Jashtë shtetit?”, – i pyes unë. “Jo mo jo, jashtë burgut”.
“Po pse?”, – i pyes.
“Po na thanë që nuk lejohen sipas rregullores të hyjnë 4 të afërm, por vetëm 3”. Ndaj njëri duhet të mos hyjë dhe Besi si kavalier u kishte thënë hyni ju dhe po pres unë jashtë”.
Pra për 8 muaj kishin shkelur rregulloren e burgut duke i lejuar të 4-ët të vinin. Ndërsa tani jo. Pak ditë më parë ishim në GJKKO për të verifikuar se ç’hetime kishte bërë SPAK-u këto 8 muaj për mua meqënëse SPAK-u nuk e kishte bërë punën e tij sipas ligjit për t’i raportuar gjykatës çdo dy muaj. Nejse, folën ata, folëm ne, hyri gjykatësi te dhoma e “komandimit” dhe afërmendsh ajo që dihet. Meqënëse ishin shpërndarë dizinformacione nga SPAK-u unë njoftoj në rrjete sociale një konferencë shtypi me gazetarët ditën tjetër, në ora 11:00. Kur çohem në mëngjes unë shikoja që mua nuk më punonte pini i telefonit. Pashë të tjerëve, u punonte.
Shkoj unë te Edukimi dhe u them: “Pse mua nuk më punon pini?” Sa keq e kam ndjerë veten i dashur Beni, se një “black out” total i sinjalit për të gjithë, për tërë ditën. Mirë konferenca na iku, po morëm në qafë edhe shumë të tjerë i dashur që nuk floën me familjet e tyre. Ndërkohë kanë 2 ditë më kanë bllokuar lidhjen në telefon me Tedi Blushin që është i vetmi i Partisë së Lirisë i regjistruar se të tjerët janë familjarët dhe avokatët. Po ka edhe më keq i dashur! E pe çfarë i bënë kolegut të tyre, Erionit? I futën edhe celularët dhe e përgjonin njëkohësisht. Shokë ideali, s’ke ç’tu thuash! Të kam paragjykuar kur mora vesh që u le fletë-arrestin në dorë dhe mendova kushedi ç’ka bërë tigri? Por kur pashë që donin të të bënin kokë turku për inceneratorin të mirëkuptova.
Ndërsa kur të dëgjova te Çim Peka në shkurt u binda që donin të të arrestonin për ato që s’ke pranuar të firmosësh e jo për pllakat dhe lavamanët e “padeklaruara”. Po je aktor i madh sidoqoftë! E mban mend takimin e fundit kur erdhe 5 minuta të merrje Dekretin si Ministër për Rindërtimin dhe Pandeminë? Kur më thoshe: “Po ti s’e ke idenë sa të do ai, etj. etj.” Ndërkohë ti e dijë ndërkohë që ty të donte edhe më shumë se unë ndaj ua kishe deleguar firmat e tenderave të tjerëve që atëherë. Kaq i dashur, si letër e parë! Do dëgjohemi së shpejti!
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Filirmetazyrtar%2Fposts%2Fpfbid0WeEGdxwuDBu6FRcNppbd2BCJ1bP5NFCyATJnpwusSL4eetpKUAKobjJM19h9J6M4l&show_text=true&width=500