Shqipëria po e përgatit hapjen e Jet Bank, institucionit të parë bankar plotësisht digjital në vend. Kjo bankë, e dizajnuar për t’iu përshtatur nevojave të klientëve, do të operojë kryesisht përmes një aplikacioni mobil, duke synuar rritjen e përfshirjes financiare dhe ofrimin e një alternative të re në sistemin bankar.
CEO e Jet Bank, Fatbardha Rino, e cila ka mbi 24 vjet përvojë në sektorin financiar, shpjegon se banka është krijuar për të adresuar nevojat e klientëve dhe për të ofruar procese më të thjeshta dhe më të aksesueshme. Onboarding-i i klientëve do të jetë tërësisht digjital dhe në përputhje me standardet ligjore dhe rregullatore, me një infrastrukturë që garanton stabilitet dhe siguri përmes Oracle Banking Services.
Rino thekson se zhvillimi i Jet Bank erdhi si rezultat i një analize të thellë mbi sistemin financiar, duke identifikuar mungesat në shërbimet ndaj klientëve. Kjo është parë si një mundësi për të zgjidhur probleme konkrete dhe për të përmirësuar përvojën e përdoruesve, duke shmangur proceset e gjata dhe produktet komplekse.
Megjithatë, fillimi i funksionimit të Jet Bank do të ndodhi vetëm pas përfundimit të gjithë procesit rregullator dhe certifikues, që mund të zgjasë deri në 12 muaj. Rino informon se banka ndodhet aktualisht në fazën e testimit të sistemeve në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse, të cilat do të garantojnë sigurinë dhe stabilitetin operacional.
Jet Bank do të dyfishojë elementet e sigurisë duke përdorur platforma të reja teknologjike, përfshirë infrastukturën e Oracle Cloud, Microsoft Azure dhe Amazon Web Services, si dhe do të respektojë rregullat strikte të mbrojtjes së të dhënave të BE-së. Çdo proces është projektuar për t’u bërë digjital nga fillimi, shkruan Rino, duke shmangur sistemet e vjetra dhe duke automatizuar proceset thelbësore.
Struktura e pronësisë së Jet Bank ndodhet nën Jet Holding, një konsorcium me bazë në Amsterdam. Investitorët kanë kaluar një proces rigoroz verifikimi për të siguruar përputhshmërinë me standardet ligjore dhe rregullatore. Jet Bank synon të operojë nën mbikëqyrjen e plotë të Bankës së Shqipërisë dhe shpreson të ofrojë shërbime të avancuara për klientët e saj.















