TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen me drejtuesit politikë të qarqeve në selinë blu. Berisha shprehu mirënjohje për numëruesit që sipas tij po përballen me presione dhe po mbrojnë votën e lirë të qytetarëve shqiptar.
Berisha tha se në këtë proces zgjedhor, krimi u kthye në faktor elektoral, ndërsa shtoi se rezultati final ishte grabitja më e madhe e votës në 33 pluralizëm.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju drejtuesve politikë të qarqeve, një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim. Por unë kam një mirënjohje të veçantë gjithashtu për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë.
Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim. Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë.”, tha Berisha.















