Autoritetet e Koresë së Jugut kanë njoftuar zhvillimin e një aplikacioni për celularë, që do t’u lejojë viktimave të ngacmimeve të gjurmojnë vendndodhjen në kohë reale të ngacmuesve të tyre, veçanërisht kur ata ndodhen afër. Ky projekt, i zhvilluar nga Ministria e Drejtësisë, është pjesë e ndryshimeve në Aktin e Mbikëqyrjes Elektronike.
Sipas raportimeve të BBC-së, ndjekësit janë bërë një shqetësim i madh për publikun në Kore të Jugut, sidomos në vitet e fundit për shkak të rritjes së krimeve të ndjekjes. Aktualisht, ligji u jep mundësinë viktimave të marrin njoftime me SMS për ndjekësit e tyre, por kjo nuk u siguron atyre informacion të saktë për vendndodhjen e ngacmuesve. Me ligjin e rishikuar, viktimat do të kenë mundësinë të shikojnë vendndodhjen e ndjekësve në një hartë në telefonat e tyre celularë, duke i ndihmuar të lëvizin drejt vendeve më të sigurta.
Përveç kësaj, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sistemi do të integrohet me linjën telefonike kombëtare të emergjencës deri në vitin 2026, që do të mundësojë mobilizimin e policisë për mbrojtjen e viktimave kur është e nevojshme.
Vitin 2021, Koreja e Jugut miratoi një ligj të ri kundër ndjekjes, i cili parashikon dënime me burg deri në tre vjet për shkelësit dhe një gjobë maksimale prej 30 milionë won (rreth 17,400 euro). Dy vjet më vonë, parlamenti rishikoi ligjin për të ulur pengesat për ndjekjen penale të ngacmuesve, duke çuar në një rritje të konsiderueshme të numrit të ankesave, që nga 7,600 në vitin 2022 në më shumë se 13,000 vitin e kaluar.
Të gjitha këto masa përfaqësojnë një përpjekje për të adresuar shqetësimet e rritura në lidhje me sigurinë e viktimave të ngacmimeve dhe për të forcuar mbrojtjen e tyre në një kohë kur krimet e ndjekjes kanë marrë një vëmendje të madhe publike.















