SPAK ka zbërthyer një skemë të madhe kontrabande cigaresh me një dëm të përllogaritur rreth 40 milion euro ndaj shtetit shqiptar, pas veprimeve anti-ligjore Ilir dhe Darjo Jashari e shitën kompaninë Albania Tabak Fabrika e Cigareve te EA TABACCO e biznesmenit Ergyr Agasi një ditë para urdhër arresteve
SPAK ka zbërthyer gjatë muajve të fundit një skemë të sofistikuar të kontrabandës së cigareve nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit si edhe atyre të Bashkimit Europian, me qendër në qytetin e Librazhdit.
Sipas njoftimit të publikuar nga SPAK, gjatë periudhës nën hetim është konstatuar një dëm financiar prej rreth 40 milionë euro që i është shkaktuar shtetit shqiptar përmes mospagimit të akcizës, ndërkohë që janë konstatuar edhe raste të tjera dëmi financiar të shkaktuar vendeve të treta.

Bazuar në rezultatet e hetimit të kryer prej vitit 2023, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg” ndaj ish-pronarit të fabrikës së cigareve, Ilir Jashari, djalit të tij, Darjo Jashari, administratorit të kompanisë, Servet Dauti, shtetasit kosovar Luan Qorolli, si dhe shtetasve serbë, Mile Bijeliç dhe Zeljko Stafjer, të gjithë të dyshuar për veprën penale të kontrabandës me mallrat e akcizës dhe të grupit të strukturuar kriminal.
Gjykata ka caktuar “arrest në burg” edhe ndaj nëntë punonjësve të doganës dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” ndaj një punonjëseje tjetër, që akuzohet për kontrabandë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, janë ndaluar vetëm 5 prej 14 të hetuarve ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”. Ndërkohë, janë ekzekutuar 15 nga 20 masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Shitja e kompanisë te biznesmeni Ergys Agasi
SPAK thotë se ka hasur në 30 praktika të tilla të paligjshme të futjes së cigareve në treg pa paguar detyrimet fiskale, ndërkohë që në “syrin e ciklonit” duket se janë babë e bir Ilir dhe Darjo Jashari, njëri pronar (gjatë periudhës së hetimit) dhe tjetri administrator i kompanisë “Albania Tabak – Fabrika e Cigareve”, e cila, sipas dokumenteve të QKB që konsultoi Skyweb.al, rezulton se është shitur më pas te biznesmeni Ergys Agasi përmes kompanisë EA TABACCO. Rezulton se ndryshimet në QKB, ku kompania ka kaluar në pronësi të z. Agasi, janë reflektuar më datë 27 maj 2025, vetëm një ditë para se SPAK të shpallte operacionin.

Agasi ka qenë më herët objekt i akuzave të forta nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si “koordinator mes krimit dhe qeverisë”, të cilat përmes një deklarate në media disa ditë më pas i hodhi poshtë.
Skema
Siç mëson Skyweb.al, skema e kontrabandës së cigareve ka qenë mjaft e sofistikuar dhe është dashur një kohë e gjatë hetimesh dhe vëzhgimesh për të zbërthyer fijet e saj, të cilat kapilarizohen nga qendra e pushtetit në Tiranë drejt strukturave doganore dhe në disa shtete të rajonit.
SPAK deklaroi se të dyshuarit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas në ato të Bashkimit Evropian, duke përdorur një skemë të sofistikuar.
Sipas hetimit, subjekti tregtar “Albania Tabak Fabrika e Cigareve” ishte pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” nga Dogana Shqiptare dhe prodhonte paketa cigaresh me regjimin fason për llogari të një firme porositëse me seli jashtë territorit të Shqipërisë.
Megjithatë, nga hetimet ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar përcakton destinacionin, i cili sipas SPAK rezulton inekzistent. “Grupi i strukturuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas ka shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore,” tha SPAK.
Nga hetimet e kryera krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal, me një veprimtari me qëllim fitimi ekonomik të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, i ka sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e rreth 3.6 miliardë lekëve ose rreth 40 milionë euro dhe një dëm prej 10 milionë eurosh në vetëm katër raste të dokumentuara kontrabandimi në tregun e BE-së.
Në një tjetër rast, nëse kalimi kontrabandë i sasisë së cigareve do të ishte realizuar, do të kishte shkaktuar një dëm prej rreth 2.8 milionë eurosh.
Sipas hetimeve të SPAK, për të realizuar këtë veprimtari kanë ndihmuar struktura të caktuara të doganës që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos shoqëruar ngarkesat deri në dalje nga territori i Shqipërisë. Po ashtu, kontrabanda është legjitimuar edhe përmes çlirimit të eksportit fiktiv në sistemin “Asycuda World”, që tregonte sikur sasitë e cigareve kanë dalë nga Shqipëria në doganën dalëse të përcaktuar në deklaratën doganore.
Tjetër shmangie nga detyrimet doganore në vendin ku janë destinuar për t’u shitur është realizuar përmes prodhimit të paketave të cigareve pa pullë fiskale, veprimtari që sipas SPAK është në kundërshtim me ligjin e akcizës.
Nuk është hera e parë
Sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, kompania “Albania Tabak – Fabrika e Cigareve” prodhonte 22 milionë paketa cigare në vit nën markën “Cleopatra”, një pjesë e të cilave shiteshin kontrabandë në Afrikën e Veriut.
Ky aktivitet u diktua fillimisht nga autoritetet doganore britanike dhe nxitën një hetim penal në vitin 2015 në Shqipëri, i cili u pezullua një vit më pas në pritje të informacioneve nga juridiksionet e huaja.
Hetimi u riaktivizua në vitin 2017, por pa asnjë rezultat në dukje. Çështja u rimor nga SPAK në vitin 2023. Kjo kompani ka qenë në pronësi të familjes Jashari nga dhjetori i vitit 2010, kur është blerë nga Ilir Jashari për 3 milionë euro, para se të kalonte në pronësi të gruas dhe djalit të tij, Darjo Jashari.
Ilir Jashari rezulton, sipas arkivës së mediave, se ka qenë subjekt i ligjit edhe në vitin 2002, kur policia arrestoi dy punonjës policie dhe sekuestroi 170 koli cigaresh kontrabandë në një anije në pronësi të biznesmenit. /