Kombëtarja shqiptare e vajzave ka rinisur punën për kualifikimet e Botërorit 2027, që do të zhvillohet në Brazil. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, ekipi u grumbullua në Shtëpinë e Futbollit për t’u përgatitur për dy ndeshjet e rëndësishme me Uellsin.
Në seancën e parë stërvitore morën pjesë 22 lojtarë, ndërsa Alma Hilaj pritet t’i bashkohet grupit në orët e ardhshme. Stërvitjet janë zhvilluar me intensitet, duke u përgatitur për këtë sfidë. Kombëtarja do të vijojë të stërvitet në Shtëpinë e Futbollit para se të udhëtojë në Uells për takimin e parë më 14 prill në orën 20:15. Ndeshja e dytë do të zhvillohet më 18 prill në ‘Elbasan Arena’ në orën 18:00.
Kombëtarja e vajzave ndodhet në grupin B1 dhe aktualisht mban vendin e tretë me 3 pikë. Uellsi dhe Çekia kryesojnë grupin me nga 4 pikë secila. Këto dy ndeshje përbëjnë një mundësi të rëndësishme për skuadrën shqiptare për të avancuar në kualifikim dhe për të forcuar pozitat e saj në grup.















