LINDJE E MESME- Ushtria izraelite në një njoftim të dytë ditën e sotme, thotë se ka vrarë komandantin e Njësisë së Transferimit të Armëve të Forcës Quds në IRGC. Sipas IDF, Behnam Shahriyari ishte përgjegjës për financimin dhe furnizimin me armë të organizatave terroriste rajonale të Iranit.
Në njoftim thuhej se ai u eliminua më shumë se 1,000 km larg Izraelit, ndërsa udhëtonte në Iranin perëndimor. Ushtria izraelite shton se eliminimi i tij përfaqëson një goditje të rëndë për aftësinë e organizatave terroriste që rrethojnë Izraelin për t’u riorganizuar dhe forcuar pasi u dëmtuan rëndë nga IDF gjatë luftës.

Forca Quds (Forca e Jerusalemit) është një degë e IRGC-së përgjegjëse për operacionet jashtë Iranit dhe është e ngarkuar me koordinimin me grupet militante aleate si Hezbollahu dhe Hamasi.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Izrael Katz, e përshkroi sulmin në mediat sociale si një “arritje të madhe për inteligjencën dhe Forcën Ajrore izraelite”, duke akuzuar Izadin se ka ndihmuar në planifikimin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit.
“Krahu i gjatë i Izraelit do të arrijë të gjithë armiqtë e tij”, tha Katz.
Që nga 7 tetori, zyrtarët e qeverisë izraelite janë përpjekur të theksojnë lidhjet e Hamasit me Iranin. Pas sulmit, SHBA-të thanë se Irani u habit nga vetë sulmi dhe se SHBA-të nuk kishin prova të drejtpërdrejta që lidhnin Iranin me planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit. Si Izraeli ashtu edhe SHBA-të kanë thënë se Irani është gjerësisht fajtor për shkak të mbështetjes së tij historike për grupin.