Një operacion ndërkombëtar po organizohet në Ballkanin Perëndimor për të goditur rrjetet e trafikut të kokainës që operojnë nga Amerika Latine drejt Europës. Kjo nismë ka si fokus grupet kriminale, të njohura si “çunat e Londrës,” të cilat dyshohet se kanë lidhje të forta me Shqipërinë.
Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të vendeve ballkanike, është ngritur një grup hetimor nga “FBI-ja britanike.” Qëllimi kryesor është identifikimi dhe shkatërrimi i rrjeteve që kontrollojnë furnizimin e kokainës nga Amerika e Jugut deri në tregjet europiane. Hetimet përfshijnë Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat konsiderohen pika kyçe për transportin e drogës përmes porteve në Adriatik dhe Mesdhe, duke përdorur kompani fiktive për të fshehur ngarkesat.
Zëvendësdrejtoresha e NCA-së, Kate Appleby, theksoi se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë një ndikim të madh në tregun global të kokainës dhe se kjo operacion do të përqendrohet te individët dhe rrjetet që përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e vendeve. Këtë bashkëpunim të ri e shoqëron samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër, ku është theksuar nevoja për të forcuar luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Nga hetimet e deritanishme del se “çunat e Londrës” kanë krijuar një rrjet të sofistikuar të furnizimit dhe shpërndarjes, duke përdorur kontakte në Amerikën Latine, Afrikën Perëndimore dhe Europën Qendrore. Autoritetet britanike dhe ato ballkanike parashikojnë se operacioni do të vazhdojë të zgjerohen në javët në vijim, me mundësinë për arrestime të bujshme në kuadër të këtij aksioni të përbashkët antidrogë.